Maqedoni
Ngërçi në transportin publik, LSDM do të kërkojë llogari për borxhet
20.10.2022 17:27
Paralizimi i transportit publik në kryeqytet dhe mospagesa e të punësuarve në këtë ndërmarrje publike ka vijuar me faj të VMRO–DPMNE–së...

Paralizimi i transportit publik në kryeqytet dhe mospagesa e të punësuarve në këtë ndërmarrje publike ka vijuar me faj të VMRO–DPMNE–së dhe kryetares së qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, fajësuan nga LSDM. Socialdemokratët brenda këshillit të qytetit thonë se do të kërkojnë llogari për borxhet e shtresuara.
“Edhe pse nga buxheti i qytetit të Shkupit këtë vit, NTP-së i janë ndarë 8.6 milion euro, borxhi i NTP-së është rritur në mënyrë marramendëse. Borxhi për një vit ka arritur në 1 milion euro. Këto janë arsyet pse shoferët, të punësuar në NTP nuk kanë marrë paga, ndërkaq në qytet nuk ka transport publik. Njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe përgjegjësi. Opinioni do të duhet të di, përse janë shtresuar borxhet dhe nëse vitin e kaluar pa kurrfarë procedure është nënshkruar aneks marrëveshje për furnizim me derivatet e naftës, ku çdo litër është më e shtrenjtë për 5.6 denarë.”,- deklaroi këshilltari i LSDM-së në Qytetin e Shkupit, Gordan Shutarov.
VMRO–DPMNE kërkon dorëheqjen e Arsovskës
Kanë reaguar nga VMRO – DPMNE duke shfajësuar veten dhe hedhur topin tek qeveria dhe kryetarja e qytetit të Shkupit.
“Dje për Arsovskën fajtor ishte qeveria, ndërkaq sot Këshilli drejtues i NTP-së. Përderisa Arsovska dakordohet me veten se kush është fajtor, NTP po shkatërrohet. Sot 1 mijë familje janë pa paga, ndërkaq 1 milion qytetarë janë pa transport.”,- thonë nga VMRO–DPMNE.
Nga partia e Mickovskit, kërkojnë dorëheqjen e Arsovskës, siç thonë për paaftësinë e menaxhimit të situatës. Ndërsa kryetarja e Shkupit Arsovska fajin e ka hedhur te Këshilli drejtues i Ndërmarrjes Publike Transportuese, anëtarët e së cilit i ka zgjedhur shumica e këshillit të kryeqytetit.
MERAL ISMAILI
