Botë

Britani, dorëhiqet kryeministrja Liz Truss

20.10.2022 18:57

Kryeministrja e Britanisë së Madhe Liz Truss, ka dhënë dorëheqje, 45 ditë pasi mori drejtimin e qeverisë...

Kryeministrja e Britanisë së Madhe Liz Truss, ka dhënë dorëheqje, 45 ditë pasi mori drejtimin e qeverisë. Gjatë një konference për mediat ajo deklaroi se “kishte një vizion për një ekonomi me taksa të ulëta dhe me rritje të lartë ekonomike”. Truss tha se ajo i ka paraqitur dorëheqjen Mbretit dhe zgjedhjet për kryetarin e ardhshëm të Partisë Konservatore do të zhvillohen brenda një jave.

Truss u vu në qendër të polemikave për një plan të dështuar për uljen taksave të prezantuar nga qeveria muajin e kaluar. Plani ekonomik shkaktoi trazira financiare dhe një krizë politike që solli dhe shkarkimin e Ministrit të Financave të Truss, ndryshime të politikave dhe një përplasje të brendshme në Partinë Konservatore në pushtet. Liz Truss bëhet kështu kryeministrja me mandatin më të shkurtër në historinë e Britanisë së Madhe, duke dhënë dorëheqjen vetëm gjashtë javë pasi mori detyrën. Kryetari i Komitetit Tory 1922, Sir Graham Brady tha se priste që udhëheqësi i ri të ishte në vend deri të premten e ardhshme.