Botë

Dronët kamikazë terrorizojnë Ukrainën

20.10.2022 19:15

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar gjatë javës në qytetin ukrainas Bhahmut...

Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar gjatë javës në qytetin ukrainas Bhahmut, ku Rusia po përpiqet t'i thyejë ukrainasit. Ushtarët ukrainas të Brigadës së 30-të sulmohen nga të gjitha anët e qytetit. Forcat ruse po bëjnë progres të ngadaltë, por të qëndrueshëm në zonë. Përparimi i shpejtë i ushtrisë ruse vjen si rezultat i “dronëve kamikazë” Shahed-136, të furnizuar nga Irani. Droni është i aftë të fluturojë qindra kilometra, me ndihmën e një motori të zhurmshëm, përpara se të shpërthejë në një objektiv, me saktësi relative. Sipas Zelenskyt, kjo shënon humbjen e Rusisë.
 
“Përdorimi i dronëve iranianë nga forcat ushtarake ruse, për të sulmuar Ukrainën, tregon se Rusia ka falimentuar, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ushtarak. Rusia me dekada ka shpenzuar miliarda dollarë në komplekset e saj të industrisë ushtarake dhe “në fund ata i janë gjunjëzuar Teheranit për të siguruar dronë të thjeshtë dhe raketa. Kjo gjë vetëm ia dëshmon botës se Rusia është në rrugë drejt humbjes dhe po tenton të tërheqë edhe dikë tjetër në mesin e bashkëpunëtorëve.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensy.
 
NATO thirrje Iranit: Mos furnizoni me dronë Rusinë
 
Kreu i NATO-s i bën thirrje Iranit që "të mos mbështesë luftën e paligjshme të Rusisë në Ukrainë”. 
 
“Ne i kemi parë sulmet e tmerrshme nga këto drone dhe i bëjmë thirrje Iranit të mos ofrojë as drone as raketa. Çdo furnizim me raketa është në kundërshtim të qartë me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”,- u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg.
 
Nga ana tjetër BE-ka vendosur që të sanksionojë Iranin për shkak të furnizimit të Rusisë me “drone kamikaze”.
 
“Ambasadorët e BE-së ranë dakord për masat kundër subjekteve që furnizojnë dronët iranianë që goditën Ukrainën. Shtetet e BE-së vendosën të ngrijnë asetet e tre individëve dhe një entiteti përgjegjës për dërgesat me dron.”,- u shpreh zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali.     
                              
BE-ja është gjithashtu e përgatitur të zgjerojë sanksionet ndaj katër subjekteve të tjera iraniane që tashmë janë paraqitur në një listë të mëparshme sanksionesh. Nga ana tjetër ,Irani ka mohuar në mënyrë të përsëritur furnizimin e Rusisë me armë për përdorim në Ukrainë, duke thënë se “nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë këtë gjë”.Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka bërë një bilanc duke deklaruar se vetëm brenda një nate janë përdorur 37 drone iraniane Shahed-136 dhe tre raketa lundrimi të lëshuara nga Rusia. 
 
FARIJE DURAKU