Botë
Pa marrëveshje për çmimin e gazit, BE së shpejti me kufizim të çmimeve të energjisë
21.10.2022 15:39
Edhe një tjetër debat mbi përgjigjen e bllokut ndaj krizës energjetike...

Edhe një tjetër debat mbi përgjigjen e bllokut ndaj krizës energjetike, rezutoi pa një marrëveshje për të kufizuar çmimet e gazit. Udhëheqësit e BE-së në Bruksel nuk arritën të pajtojnë qëndrimet. Të bashkuar vetëm për një kornizë të gjerë për trajtimin e goditjes së çmimeve.
“Ekziston një vendosmëri e fortë për të vepruar së bashku si vende evropiane për të ulur çmimet e energjisë, për të garantuar sigurinë e furnizimeve dhe të vazhdojmë punën për të ulur nevojat. Kriza energjetike paraqet një kërcënim në nivelin e tregut të brendshëm të BE-së dhe u deklarua vendosmëria për të punuar dhe vepruar së bashku.”, tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.
Çdo shtet anëtar është i detyruar të marrë pjesë në blerjen e përbashkët të gazit në nivel të BE-së për të paktën 15 për qind të mbushjes së stokut. Me këtë BE-ja i dërgon sinjal tregut se është e bashkuar dhe se vendet nuk do të konkurrojnë me njëra-tjetrën në tregun e energjisë.
“Sigurisht, shtete të ndryshme anëtare kanë prioritete të ndryshme, por nëse shikoni hapat që kemi bërë përpara, udhërrëfyesi që duhet të punohet dhe më pas të zbatohet, është një çështje e përbashkët. Janë rregullat për ndarjen e gazit, marrëveshjet e solidaritetit dhe hapat që duhet ndjekur në rast të një ndërprerjes së madhe. Është tema e çmimeve të larta dhe si t'i kufizojmë ato.”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
“Fakti që arritëm marrëveshje e tregon vendosmërinë tonë të vazhdojmë përpara në këtë drejtim. Kjo jep një sinjal të qartë për tregjet që ne jemi të vendosur dhe të bashkuar.”, tha Emanuel Macron, president i Francës
Megjithatë, kompanitë private janë ende të lira të refuzojnë ofertat e përbashkëta të furnizimit të vendeve.
LEONORA KALIQI
