Botë

Akses në dosjet e ish sigurimit në Shqipëri, hiqet pengesa ligjore por refuzohet lustracioni

21.10.2022 17:52

Parlamenti ka hequr pengesën ligjore duke i dhënë mundësi Autoritetit të Dosjeve...

Parlamenti ka hequr pengesën ligjore duke i dhënë mundësi Autoritetit të Dosjeve të hetojë dosjen e ish spiunit të sigurimit të shtetit me inicalet I. M, për të cilin dyshohet se është ish Presidenti Ilir Meta. Gjithashtu u pranua dhe kërkesa e PD së Alibeajt për aksesin e plotë në dosjet e ish sigurimit.
 
“Ne këtu në këtë proces na solli shtetasi I.M. Doli një I.M u mbush dynjaja me fjalë u pa që nuk merrej dot vesh kush është ky I.M. A është I.M që u shkon mendja atyre për keq, apo ndonjë I.M tjetër. Shumë thjeshtë u zbulua, apo u kujtua që ka një pengesë për shtetasin I.M. Të hapet kjo kategori dhe të lehtësohen gjithë. Largqoftë të mësojmë që shtetasin IM. E paskemi pasur e merre e ngjite ku ka pasur vend në të gjithë piramidën shtetërore.”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
 
“Nuk duhet ta kishe thënë që ke ardhur këtu vetëm për I.M. Çështja është parimore dhe parimisht duhet të hapim të gjitha dosjet. Sprovë ke lustracionin ti!”, tha Enkelejd Alibeaj, kryetar i grupit të PD-së.
 
Pavarësisht dakordësisë, debati nuk mungoi. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi i kërkoi kryeministrit të votojë ligjin për “Lustracionin” e paraqitur nga grupi i rithemelimit, por Rama refuzoi.
 
“Voto lustracionin sipas modelit çek, ku janë kapur dhe 90-vjeçarë ish bashkëpuntorë të sigurimit.”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së.
 
“Po çdo kapësh ti mor Oerd, një 90 vjeçar ke dhe ai të ka kapur e s’të lëshon. Çfarë do kapësh ti! Nuk e votojmë lustracionin për gjueti hijesh.”, tha Rama.
 
Pas miratimit në seancë të ndryshimeve ligjore të paraqitura nga PS dhe PD e Alibeajt, në kuvend janë në shqyrtim edhe tre nisma të tjera që lidhen me dosjet e ish sistemin komunist.
 
LULJETA NDOKA