Maqedoni

Grubi, raporti i Dick Martyt i vendosi njollë UÇK-së

22.10.2022 16:28

Raportin e Dick Marty-t i vendosi njollë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...

Raportin e Dick Marty-t i vendosi njollë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. Ai tha se kjo është një shpikje që përputhet me propagandën e Putinit për Ukrainën, bazuar në gënjeshtra.
 
“Një tjetër paragjykim shkatërrues që duhet të përmend është raporti famëkeq i ish-senatorit zviceran, Dick Marty, që i dha një dimension kaq të pabesueshëm dhe i vuri njollë luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës. Një shpikje që përputhet me propagandën e Putinit për Ukrainën bazuar në gënjeshtra, i ktheu ato në fakte të paverifikuara, pavarësisht faktit se Kombet e Bashkuara, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përballë raportit të rremë dhe i mbylli hetimet si të pabazuara”, u shpreh zv/kryemisnitri i RMV-së, Artan Grubi.
 
Grubi, nuk mund të jemi indiferent ndaj luftës në Ukrainë
 
Duke folur për problematikat aktuale botërore, Grubi përmendi se shqiptarët nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj situatës aktuale në konfliktin Rusi-Ukrainë, sepse sipas tij, imazhet aktuale na rikthejnë në luftën për rezistencë dhe liri që Kosova e bëri në vitet e 90-ta.                   
 
“Kur ngjarje të tilla të tmerrshme përsëriten, pavarësisht nëse ndodhin afër apo larg nesh, ne, që fatkeqësisht kemi kaluar përvoja të tilla të ngjashme, nuk mund t’i shikojmë këto ngjarje me gjakftohtësi si spektatorë. Nuk është vetëm zhurma e avionëve, tankeve dhe artilerisë që e dëgjojmë përmes lajmeve mediatike, por kjo është një thirrje e fuqishme që kërkon drejtësi, paqe, liri dhe t’i jepet fund shkatërrimit. Shkatërrimet dhe viktimat në Ukrainë na kujtojnë shkatërrimet dhe viktimat në luftërat e përgjakshme që ndodhën në vitet ’90 në vendet tona”, theksoi Grubi.
 
Këtë prononcim zëvendës Kryemisnitri Grubi e bëri në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të mbajtur në Prishtinë nën organizimin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI