Botë
Prishtinë, Kurti priti përfaqësuesin e BE-së Lajçak
22.10.2022 19:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian...
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
I dërguari i posaçëm i BE-së Lajçak, pas takimit me kurtin tha se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, teksa afati për riregjistrimin e automjeteve është paraparë të përmbyllet më 31 tetor.
“Shqetësimi jonë është që të mos kemi tensione apo dhunë në terren, kjo është shumë e rëndësishme sepse nuk është në interesin e Kosovës”, tha Lajçak. I pyetur nëse kanë diskutuar për propozimin që afati për riregjistrimin e automjeteve të shtyhet për 10 muaj, Lajçak konfirmoi se kjo temë ka qenë pjesë e diskutimit me Kurtin. “Kemi diskutuar çështjen e targave, por është vendimi i kryeministrit dhe nuk do të komentoj në emrin e tij”, tha ai.
Ndërkohë nga Zyra e kryeminstrit Kurti nëpërmjet një njoftimi thanë se tema të diskutimeve kanë qenë elementet "e kronizës themelore të marrëveshjes" mes Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Udhërrëfyesit të energjisë dhe çështjet aktuale.
"Kryeministri Kurti e falënderoi z. Lajçak për angazhimin e tij në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër", u thuhet në njoftim.
Vizita e Lajçak vjen pas dy dit më pare në Prishtinë qëndroi i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar. Vizitat e Lajçak dhe Eskobar në Kosovë vijnë në kohën kur në opinion po qarkullon i ashtuquajtur propozim gjermano-francez në lidhje me lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo është arsyeja që po vij këtu çdo javë. Por, shpresoj që e kuptoni se nuk do t'i ndihmonte procesit, nëse unë jam ai që jap detaje. Këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt javor me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.
