Kumanovë, shtrenjtimi i energjisë elektrike mbyll pishinën e qytetit

24.10.2022 12:45

Për shkak të rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike...

Për shkak të rritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike, gasit dhe energjenseve tjera, shumë ndërmarrje publike të qytetit të Kumanovës janë detyruar të shkurtojnë aktivitete të shumta.

Një ndër masat e Ndërmarrjes Publike “Pastrim dhe Gjelbërim” në Kumanovë, është ndërprerja e përkohshme e punës në Pishinën e mbyllur të qytetit.

Nga kjo ndërmarrje, e cila ekonomizon me pishinën, thonë se kjo masë do të vlejë deri në muajin prill të vitit të ardhshëm.

“Funksionimi i Pishinës së mbyllur të qytetit do të mund të na kushtojë edhe deri në 6 milionë denarë në muaj apo rreth 1 milion euro në vit, si rezultat i ngritjes enorme të çmimit të energjisë elektrike dhe gazit. Në nivel vjetor bëhet fjalë, pra, për 1 milion euro që do të thotë 15 për qind i mjeteve nga buxheti i përgjithshëm operativ për funskionimin normal të Pishinës së qytetit. Kjo nënkupton që Komuna e Kumanovës do të duhet t'i zvogëlojë  investimet kapitale dhe tërheqje nga ndërtimi i rrugëve të reja, kanalizimit, terreneve sportive dhe ndërhyrjeve tjera në infratstrukturë”, -  tha ndër të tjera drejtori i NP “Pastrim dhe gjelbërim” Kumanovë, Daniell Stojçevski.

Ngritja enorme e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit ka shkaktuar çregullime në punën dhe aktivitetet e përditshme edhe në ndërmarrjet tjera publike në Komunën e Kumanovës.

Por gjithsesi ngritja e çmimeve të energjenseve në masë të madhe po ndihet edhe tek kompanitë e shumta private në Kumanovë dhe rrethinë, të cilat janë detyruar të ndërmarrin masa të ndryshme për mbijetesën e tyre. (Fatlum Aqifi, TVM2)