Banka Botërore, RMV të mbështesë kategoritë më të rreziku
E goditur nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike...

E goditur nga lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike, Maqedonia e Veriut po përballet me inflacionin më të lartë ndonjëherë, duke ulur në mënyrë disproporcionale të ardhurat reale të të varfërve. Kjo është notuar në raportin e rregullt të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, që përfshin edhe vendin tonë. Me hapësirë të kufizuar fiskale, rritje të borxhit publik dhe rritje të kostove të financimit, sipas Bankës Botërore, mbështetja fiskale duhet të synohet për familjet dhe firmat më të cenueshme. Nuk pritet që vendi të hyjë në recesion, por se rritja do të jetë e ngadalësuar, kurse nga viti 2023 pritet që kriza të fillojë të stabilizohet.
“Nuk presim që në Maqedoninë e Veriut të ketë recesion. Sa i përket rritjes së përgjithshme, mund të ketë rritje negative kuartale. Ajo mund të duket edhe këtë vit. Do të thoja se parashikimet janë jofalenderuese, për shkak se shpejtë po ndryshohen gjërat, edhe atë jo për të mirë. Në vitin 2023 do të shohim se Maqedonia e Veriut është në grupin e vendeve me rritje relative të moderuar, ashtu që presim që kriza aktuale do të ulet” – Tha Sanja Madžarevic – Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore.
Raporti i fundit i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor vlerëson se situata ekonomike në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ndikohet nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë dhe rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë, si dhe ngadalësimi i rritjes globale.
Këto kriza po krijojnë sfida të forta për rajonin, pavarësisht rritjes më të mirë se sa pritej që nga fillimi i vitit.
“Rritja në rajon tani pritet që të arrij në 3.4%. Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë çuar inflacionin në nivele të papara në vite, duke ulur fuqinë blerëse dhe besimin e biznesit. Rimëkëmbja e tregut të punës ka filluar të ngadalësohet me punësim më të dobët mes inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë” – deklaroi Joana Maxhoska, Kryetare e Zyres së BB-së në RMV.
Nga Banka Botërore thanë se kushtet aktuale globale për financim, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe rënia e besimit të kompanive dhe konsumatorëve sigurisht që do të ndikojnë në sektorin financiar në rajon. (Ersan Pajaziti, TVM2)
