Afera “Prona sekrete”, 123 funksionarë fshehin pronë prej 30 mln euro

24.10.2022 17:46

123 funksionarë të LSDM dhe BDI-së....

123 funksionarë të LSDM dhe BDI-së posedojnë prona sekrete në vlerë prej 30 milion euro, akuzuan nga VMRO – DPMNE. Në listën që posedon partija e Mickoskit, figurojnë emrat e funksionarë shtetërorë, kryetar të komisioneve dhe drejtorë të institucioneve.

Ata posedojnë pronë në emër të tyre por që nuk është e evidentuar në komisionin për parndalimin e korrupsionit dhe në institucione të tjera. Bëhet fjalë për shtëpi, apartamente, vila, hapësira afariste, të fshehura nga sytë e publikut.

“Komisioni për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, është bashkëpunëtor në skemën e krijuar nga qeveria, dhe janë mbrojtës të tyre. Konsiderojmë se bëhet fjalë për një bashkëveprim krimel dhe fshehje të organizuar të pasurisë. Komisioni kundër korrupsionit ka obligim të mbajë shënime të sakta dhe në kohë të dorëzimit të fletave anketuese nga zyrtarët, brenda 30 ditëve nga emërimi i tyre. Pse ekziston antikorrupsioni, nëse 123 zyrtarë fshehin pasurinë e tyre?” – theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.

Nga VMRO –DPMNE thonë se kanë emrat e të gjithë funksionarëve të cilat do ti publikojnë nëse në afat prej  24 orëve këtë nuk e bëjnë vetë institucionet.

“Pasi t’i publikojmë do të kërkojmë edhe kontrollimin e prejardhjes së pasurisë, pasiqë pasuria e fshehtë është e tillë për arsye të caktuara, Arsye më e madhe është se prona e njëjtë, mund të jetë siguruar në mënyrë të jashtligjshme.” – u shpreh Petrushevski.

LSDM: VMRO, Dëshmitë ti paraqesë në antikorrupsion

Kanë reaguar nga LSDM duke thënë se pallati i bardhë i VMRO – DPMNE-së është sinonim i krimit dhe pronës së jashtligjshme.

“Me vendimin gjyqësor për Talir 2, u dëshmua se pallati i bardhë në vlerë prej 7 milion eurove është i jashtligjshëm me para të vjedhura nga qytetarët. Shuma milionëshe janë keqpërdorur, plani detal urbanistik është ndryshuar tre herë që VMRO – DPMNE të fitojë 12 mijë metra katrorë për selinë. Kur flasin për pronë VMRO – DPMNE, fillimisht le të shohë rradhët e saj. Me cilën pronë të lajmëruar dhe në çfarë mënyre jeton Nikolla Gruevski në Budapest?”, pyesin nga LSDM.

Socialdemokratët ftojnë VMRO-në dëshmitë eventuale për fshehje të pronës ti paraqesin në komsionin antikorrupsion si institucionin kompetent, për veprim të mëtejmë. (Meral Ismaili, TVM2)