Kosovë, Von Cramon: Vendimi për vizat, kah fundi i vitit

24.10.2022 19:20

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon...

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se një vendim për liberalizimin e viza për Kosovën pritet të merret kah mesi i nëntorit, apo fillimi i dhjetorit, duke theksuar se shpreson që ky vendim të jetë pozitiv.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Von Cramon tha se shpreson që të mos vendosen kushtëzime apo që procesi i liberalizimit të vizave të lidhet me ndonjë metodologji të re të Bashkimit Evropian.

Von Cramon tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për vizat dhe vendimi për këtë çështje është i vonuar, por shtoi se vonesat janë “të padrejta” për shtetasit e Kosovës, që janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen.

Raportuesja për Kosovën në PE, foli edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Von Cramon tha se Kosova duhet të përkrahë një propozim të Francës dhe Gjermanisë, që thuhet ka për synim të shtyjë përpara Prishtinën në rrugën evropiane.

Sipas saj, edhe nëse kjo marrëveshje nuk parasheh 100 për qind kërkesat e Kosovës në dialog, është më mirë që të fitohet “90 për qind” tani dhe shteti të ecë përpara, por shtoi se ky është rekomandimi i saj dhe se i mbetet liderëve në Kosovë të vendosin për këtë çështje.

Franca dhe Gjermania është raportuar se i kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për shtyrjen përpara të procesit të dialogut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ky propozim konsiston në atë që shteti i tij të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur mbështetjen për këtë nismë, duke thënë se do të zhbllokonte rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve euroatlantike.