Maqedoni

Ligji për Origjinën e Pasurisë, pronat e paligjshme mund të zbulohen edhe tani

25.10.2022 14:53

Pas kërkesave të vazhdueshme të Komisionit për Parandalimin e Korrupsioni për sjelljen e Ligjit për Origjinën e Pasurisë....

Pas kërkesave të vazhdueshme të Komisionit për Parandalimin e Korrupsioni për sjelljen e Ligjit për Origjinën e Pasurisë dhe pas akuzave të VMRO-DPMNE-së se 123 funksionarë kanë pronë të fshehur në vlerë prej 30 milion euro, ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski, thekson se edhe në mungesë të Ligjit për Origjinën e Pasurisë, ekzistojnë instrumente për vërtetimin dhe zbulimin e gjendjes së pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Sipas tij, është në përfundim e sipër draft versioni i pare i Ligjit për Origjinën e Pasurisë.
 
“Presim së shpejti edhe në si Ministri e Drejtësisë, jo vetëm të njihemi me Ligjin, por edhe të japim kontributin tonë në kuptimin zyrtar, që ky ligj sa më shpejt të miratohet. Edhe më tej me përgjegjësi them se përveç këtij ligji, për momentin ekzistojnë instrumente dhe mekanizma për vërtetimin dhe zbulimin e gjendjes së pronave të fituara në mënyrë të paligjshme.”,- tha ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
 
I pyetur rreth kërkesave për transferin e të dënuarve në “Lagjen e trimave” në Kosovë, Tupançevski tha se kanë bashkëpunim me autoritetet e Kosovës dhe se po shqyrtohen kërkesat. Nuk precizoi se kur dhe çka do të vendoset.
 
“Ka më shumë procedura për trasferin e personave të dënuar, jo vetëm për “Lagjen e trimave”. Kërkesat po shqyrtohen në Ministrinë e drejtësisë dhe po veprohet sa i përket afateve të parapara sipas Konventës dhe rregullativës nacionale.”,- u shpreh ministri i drejtësisë, Nikolla Tupançevski.
 
Sa i përket iniciativës së Avokatit të Popullit për ndryshime ligjore të cilat do të kufizonin kamatë ndëshkuese të përmbaruesve që e njëjta të mos mund të jetë më e lartë se sa borxhi kryesorë,Tupançevski tha se akoma nuk e kanë parë iniciativën dhe se pa shqyrtimit do të vendoset nëse do të jetë pjesë e Kodit Civil që është në përpunim e sipër.

FLORIJE BELULI KAMBERI