Maqedoni

Afera “Prona sekrete”, VMRO – DPMNE publikon emra të funksionarëve

25.10.2022 15:43

Opinionisti, Albert Musliu, përfaqësues i caktuar nga qeveria në bordin drejtues në Fondin e Holokaustit të hebrenjve në Maqedoni....

Opinionisti, Albert Musliu, përfaqësues i caktuar nga qeveria në bordin drejtues në Fondin e Holokaustit të hebrenjve në Maqedoni, avokati i LSDM-së, Ivica Jeftiq, anëtar i Bordit Drejtues në Qendrën për Azil-kërkim, Valentin Gruevski - drejtori i ndërmarrjes publike “Pyjet e Maqedonisë” dhe Novica Peçinski - anëtar i Bordit Drejtues në Shtëpinë e Shëndetit në Berovë, njëkohësisht i punësuar në komunën e Berovës, janë emrat që VMRO–DPMNE i akuzon për fshehje të pronës. Personat thuhet të kenë në emër të tyre shtëpi, apartamente, vetura, por që nga emërimi i tyre nëpër detyra zyrtare nuk kanë dorëzuar listën anketuese për posedim të pronës deri tek Komisioni Anti-korrupsion. Nga VMRO ftuan Anti-korrupsionin të nis hetimin.
 
“Anti-korrupsioni punon në diktimin e LSDM-së. Ftojmë Anti-korrupsionin dhe institucionet tjera të nisin të bëjnë punën, ndërkaq njëkohësisht ftojmë edhe Jeftiçin, Gruevskin dhe Peçinskin që të dorëhiqen nga pozicionet që mbajnë dhe të paguajnë dënimin sipas ligjit. Institucionet të kontrollojnë pronën e tyre, ndërkaq të shohin se a kanë edhe pronë tjetër në emër të të afërmve të tyre por që ka lidhje me ata.”,- tha deputeti i VMRO–DPMNE–së, Brane Petrushevski.
 
Kovaçevski: Provat t’i drejtohen Anti-korrupsionit
 
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, ftoi VMRO-DPMNE që provat për aferën e publikuar t’i drejtojnë tek Komisioni Anti-korrupsion.
 
“Unë për aferën nuk kam njohuri. Dje pashë që VMRO nëpërmjet një deputeti të tij dha paralajmërim të caktuar, ashtu që gjithçka që kanë si indikacione të caktuara do të duhet t’i dorëzojnë në Komisionin Anti-korrupsion, pasi që çdo funksionarë është i obliguar që gjithçka që ka siguruar në jetë, ta paraqesë në listën anketuese, ashtu siç kam vepruar unë.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Me gjithë mohimin e kryeministrit nga VMRO–DPMNE thonë se zyrtarët në fjalë kanë lidhje të drejtpërdrejt me kreun e pushtetit.
 
Emrat e tjerë të përfshirë në aferë, VMRO do t’i publikojë ditëve në vijim, pasi partia e Mickovskit pretendon që ky numër arrin në 123 zyrtarë të cilët fshehin pronën.
 
MERAL ISMAILI