Maqedoni
Kovaçevski për ndryshimet kushtetuese: Partitë të dakordohen për vendim konsensual
25.10.2022 15:50
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, e vlerëson pozitive fazën fillestare të debatit për ndryshimet kushtetuese...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, e vlerëson pozitive fazën fillestare të debatit për ndryshimet kushtetuese, por pa komentuar pozicionin e partive shqiptare opozitare, se do të jenë konstruktiv në heqjen e pengesave të procesit eurointegrues, vetëm me kushtin e heqjes nga kushtetuta të formulës “gjuha që flasin 20% e popullsisë”. Kovaçevski kërkon nga partitë politike që të bisedojnë dhe të arrijnë një marrëveshje të pranueshme për të gjithë. Thotë se do të zhvillojë takim edhe me kreu e opozitës maqedonase Mickovski, sepse, sipas tij, bëhet fjalë për interes shoqëror.
“Shohim se është hapur diskutimi për ndryshimet kushtetuese. Vlerësoj se duhet të jetë proces i cili duhet të zhvillohet sikur deri më tani, përmes procedurës që është paraparë sipas ligjeve tona, të hapet procedura kur të shihet se ka vullnet konsnensual. Praktikisht shihet se të gjitha partitë kanë raport pozitiv për ndryshimet kushtetuese, bile edhe ata që ishin kundër, tani thonë se në bazë të disa kushteve do të përkrahin ndryshimet kushtetuese. Duhet të ulen në tavolinë të gjitha partitë, t’i tregojnë qëndrimet e tyre dhe në fund të arrihet një vendim, i cili duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja “Besa” presin nga partitë maqedonase qasje racionale në këtë kërkesë, sepse e konsiderojnë momentin të duhur për ta kuptuar më së mirë ndjeshmërinë e çështjes së gjuhës amë. Por, VMRO-DPMNE pranon të diskutojë për çështjen e gjuhës shqipe, pa e dëmtuar karakterin unitar të shtetit. Ndryshimet kushtetuese sipas një kalendari të caktuar nga Komisioni Evropian dhe autoritetet vendore, duhet të ndodhin deri nëntor të vitit të ardhshëm, paralelisht me përfundimin e procesit të skriningut, dy elemente që do t’i hapnin rrugën procesit integrues me hapjen e kapitujve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
