Maqedoni

Kuvend, kandidimi i Penovit nxiti debat për punën e qeverisë

25.10.2022 16:00

Propozimi i kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, që Kuvendi të zgjedh Risto Penovin ministër të pushtetit lokal....

Propozimi i kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, që Kuvendi të zgjedh Risto Penovin ministër të pushtetit lokal, rezultoi me debat të ashpër mes pushtetit dhe opozitës rreth punës së Qeverisë në përgjithësi. Sipas opozitës së kryesuar nga VMRO DPMNE, Penov është kuadër i konsumuar i gjeneratës së Branko Cërvenkovskit dhe se Qeveria me këtë qasje po nënçmon deputetët dhe Kuvendin në përgjithësi. 
 
“Poshtërimi dhe përçmimi në kombinim me mosdhënien e llogarisë që trasoi Kovaçevski e Zaev ndaj kombit deri tani nuk janë shënuar në këtë nivel në botën e civilizuar, ndërkaq, krimi, korrupsioni, partizimi dhe paaftësia që kanë hyrë në çdo pore të shtetit maqedonas, për aq kohë të shkurtër, jo vetëm që sakatuan shtetin maqedonas por, seriozisht i dëmtuan edhe marrëdhëniet shoqërore. Pikërisht kjo qeveri, që vet quhet si pro-evropiane, është antipodi i përpjekjeve për të krijuar perceptim të rrejshëm te qytetarët.”,- tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.
 
Dallimet janë konceptuale, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, koncepti që përfaqëson kjo Qeveri është integrimi i brendshëm dhe integrimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq koncepti që përfaqëson opozita është bllokimi dhe izolimi.     
 
“Koncepti që përfaqësoj unë dhe koncepti që përkrah Qeveria dhe shumica e qytetarëve në shtet është koncept për qytetarë maqedonas të respektuar në Evropë, të cilët rijnë kokëlartë në tryezën e madhe në Bruksel, zëri i të cilëve dëgjohet dhe vlen në vendimmarrjet e përbashkëta evropiane. Koncepti tjetër, për të cilin, për herë të parë foli edhe Brukseli në raportin e sivjetshëm për përparimin e vendit është koncepti i bllokimeve për të cilinë është dëshmitar opinioni, posaçërisht ju në Kuvend.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kovaçevski ftoi deputetët, posaçërisht opozitën, që veç kandidatit për ministër për vetëqeverisje lokale të përkrahin reformat e nevojshme për anëtarësim ne BE si dhe masat për përballje me krizën energjetike dhe atë ekonomike.  

SHPËTIM NUREDINI