Bakhmut nën breshëri granatimesh, tetë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur
Në territoret e de-okupuara të rajonit të Donetsk-ut....

Në territoret e de-okupuara të rajonit të Donetsk-ut, Rusia ka lënë pas gjurmë të gjenocidit. Edhe në këtë rajon janë zhvarrosur trupat e 131 personave, por kjo shifër nuk është përfundimtare njoftojnë autoritetet.
“Tani janë zhvarrosur trupat në dy varrezat kryesore, janë zhvarrosur 131 trupa, por… ka varre masive ku trupat janë varrosur në llogore dhe ka varre individuale të gjetura nëpër oborre. Prandaj ky numër nuk është përfundimtar, ai vazhdon të rritet, për fat të keq.”,- tha Pavlo Kyrylenko nga Administrata Ushtarake e Donetsk-ut.
45 varre u zbuluan në territoret e çliruara të rajonit Donetsk në fillim të tetorit: 33 varre në Sviatohirsk dhe 12 varre në Lyman.
Banorët vendas informojnë çdo ditë policinë për varre të reja. Rusia sapo largohet nga një territor, shënjestron një tjetër. Shënjestër e sulmeve ruse gjatë dy javëve të fundit ka qene qyteti Bakhmut.
Breshrit e granatave kanë vrarë së paku tetë civil dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Policia nën flakët e luftimeve shpërndan ushqim dhe ndihmën e parë për banorët e zonës.
"Policët e Bakhmut vazhdojnë të dokumentojnë mizoritë e agresionit të armatosur, qyteti është ende nën zjarrin e armikut. Ka zona që vuajnë shumë nga sulmet e fuqishme artilerie dhe ajrore. Fatkeqësisht, midis civilëve atje janë të plagosur dhe të vdekur. Oficerët e rendit po përpiqen të ofrojnë ndihmë maksimale për qytetarët, veçanërisht të moshuarit. Policia sjell dhe shpërndan ndihma humanitare.”,- theksoi njësit i policisë në Bakhmut.
"Mos qaj, gjithçka do të jetë në rregull. A ke nevojë për ndonjë ilaç?,- theksoi një polic.
"Ne po marrim ndihma humanitare dhe po marrim bukë.",- tha një banor vendas.
Ndërkohë që lufta vazhdon, vendet e BE-së bëjnë plane në Berlin për rindërtimin e Ukrainës.
“Kjo konferencë ka të bëjë me krijimin e një Plani Marshall për shekullin e 21-të. Vetë historia e Gjermanisë tregoi se ishte e mundur të rindërtohej edhe pas një lufte shkatërruese, dhe kështu ishte e rëndësishme të planifikohej për të ardhmen e Ukrainës si një anëtare e begatë dhe demokratike e BE-së.”,- tha kancelari gjerman, Olaf Scholz.
“Shkalla e shkatërrimit të Ukrainës është “tronditëse”, duhet të lansohet një platformë koordinuese për rindërtimin e Ukrainës “sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësish para fundit të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm.”,- theksoi presidente e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Plani “Marshall” ishte një iniciativë e sponsorizuar nga SHBA që ndihmoi në ringjalljen e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
