Maqedoni
MPPS dhe Agjencia për Punësim: Vende të reja pune përmes investimeve të gjelbra
26.10.2022 12:29
Plani operativ për programe aktive dhe masat që u përgjigjen nevojave të sektorit real dhe personave që kërkojnë punë...

Plani operativ për programe aktive dhe masat që u përgjigjen nevojave të sektorit real dhe personave që kërkojnë punë, këtë vit ka arritur të implementohet 75%, bën të ditur ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska. Duke prezantuar masën “Mbështetje për krijimin e vendeve të reja të punës, përmes investimeve të gjelbra”, Trençevska tha se kjo duhet të nxisë krijimin e vendeve të reja të punës dhe procesin e transformimit të gjelbër të sektorit privat nëpërmjet aplikimit të prodhimeve të gjelbra, shërbimeve, teknologjisë dhe proceseve në vet ndërmarrjet.
“Kompanitë marrin ndihmë financiare për punësime të reja prej 205 mijë denarësh deri në 615 mijë denarë, varësisht nga numri i të punësuarve. Ndihma ndahet si grand, mjete të pakthyeshme të dedikuara për financimin e investimeve të reja për investime biznesore, të orientuara drejt kalimit në ekonominë e gjelbër, në makineri, pjesë dhe pajisje për burime të reja energjetike, si dhe pasje dhe materiale për efikasitet energjetik.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Jovanka Trençevska.
Masa mundëson trajnime profesionale për aftësi të gjelbra për ndërmarrjet shfrytëzuese të ndihmës financiare dhe të gjitha ndërmarrjet e interesuara për ta nxitur zhvillimin e tyre nëpërmjet investimeve të gjelbra. Mundësia për trajnim për aftësi të gjelbra do të kenë edhe personat e papunë. Vendet e gjelbra të punës kontribuojnë për ruajtjen e ambientit jetësor, uljen e ndotjes së ajrit dhe përballje me ndryshimet klimatike.
“Këto vende të punës në hapësirat tona kanë potencial më të madh për të siguruar zhvillim, para së gjithash për shkak të diellit të bollshëm, tokës pjellore, natyrës së paprekur dhe parakushte të tjera. Sipas raporteve relevante, deri në vitin 2035 pritet të hapen disa mijëra vende të gjelbra të punës, pjesa më e madhe në sektorin e ndërtimtarisë dhe industrisë së lidhur me materialet ndërtimore.”,- theksoi drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati.
“Në kontekst të periudhës post pandemike dhe përballjen me pasojat e luftës që solli deri te kriza energjetike, është gjithnjë e më e dukshme nevoja për furnizim, sidomos me ushqim, por edhe nevoja për rimëkëmbje të gjelbër dhe strategji të gjelbër, mekanizma dhe masa.”,- u shpreh Sanja Bojaniq nga UNDP.
Me masat e planit operativ, Agjencia për Punësim synon të përfshijë 14 deri në 15 mijë qytetarë të pa punë.
GYLTENE SINANI
