Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, shqiptarët insistojnë për heqjen e 20%

26.10.2022 14:06

Me ndryshimet kushtetuese, partitë politike shqiptare janë të vendosura për të hequr nga Kushtetuta...

Me ndryshimet kushtetuese, partitë politike shqiptare janë të vendosura për të hequr nga Kushtetuta edhe referencën e 20% për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar, BDI dhe ASh, në “Argument” në TVM2, u shprehën të hapura për të vazhduar konsultimet për ndryshimet kushtetuese, me çka do të insistojnë edhe në heqjen e 20%. 
 
“Ne shpresojmë që ajo të zëvendësohet me një formulim dinjitoz që e presim gati 20 vite, por konsultat do të vazhdojnë me të gjithë faktorët relevant në vend dhe me faktorin ndërkombëtar dhe e kam patjetër të potencojmë se të gjitha arritjet që i kemi i kemi falë faktorit ndërkombëtar.”,- theksoi Vjollca Latifi Ademi nga BDI.
 
“Ne si deputet kemi rastin që të dalim edhe jashtë shtetit të debatojmë edhe me euro-deputet. Kudo qoftë që e ngremë çështjen e 20% është non-sens. Askush nuk e akcepton logjikën që gjuha e një populli definohet si 20%, pra ajo njëherë e përgjithmonë duhet të definohet si gjuhë shqipe e pastër.”,- theksoi Halil Snopçe nga ASh.
 
Kërkesa për heqjen e badenterit, Latifi Ademi: Absurde të diskutohet ende kjo temë
 
BDI dhe ASh gjithashtu shprehen kategorikisht kundër ideve të opozitës maqedonase se do të votojnë heqjen e 20%, me kusht që të hiqet parimi i Badinterit dhe Balancuesit. Deputetja e BDI-së, Ademi, tha se vlerat që janë betonuar me vite nuk mund të rrënohen, ndërsa Snopçe nga ASh tha se nëse opozita maqedonase kushtëzon, atëherë edhe opozita shqiptare do të paraqesë kushtet e veta. 
 
“Është absurd sot në vitin 2022 të bisedohet për heqjen e badenterit dhe balanserit. Badenteri eviton majorizimin e etnive jomaqedonase në vend dhe Badenteri rrjedh si forrmulim nga Marrëveshja e Ohrit dhe kthim prapa nuk ka.”, tha Latifi Ademi.
 
Heqja e Badenterit dhe balancuesit, Snopçe: Në atë rast, parlament dydhomësh
 
“Mickoski ushtron një kusht të pa-arsyeshëm. Në qoftë se ia insiston heqjen e badenterit, atëherë ne normalisht do të shtrojmë që Maqedonia të rregullohet në sistem parlamentar dydhomësh. Po mund të hiqet badinteri, por me kusht që sistemi parlamentar, të jetë sistem parlamentar dydhomësh.”, tha Snopçe
 
Deputetja Ademi nga BDI u shpreh e bindur se do të sigurohen  votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, kurse Snopçe u shpreh skeptik për sigurimin e votave në Kuvend. Ai tha se nëse nuk sigurohen votat e nevojshme duhet formuar një qeveri e zgjeruar.

ERSAN PAJAZITI