Maqedoni

Mbrojtja nga vërshimet, “jo më mbeturina në lumenj e ndërtime të egra”

26.10.2022 18:37

Duhet të kemi kujdes nga prerjet e pa kontrolluar e drunjve, mbeturinat mos të hidhen vend e pa vend...

Duhet të kemi kujdes nga prerjet e pa kontrolluar e drunjve, mbeturinat mos të hidhen vend e pa vend, me qëllim që të mbrohemi nga përsëritja e vërshimeve të shtatë viteve më parë. Kështu e theksoi në Shipkovicë të Tetovës,ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë, e cila, bashkë me Ministrin e Ekologjisë, kreun e komunës dhe përfaqësuesin e UNDP-së, vizituan punimet në shtratin e lumit të fshatit i cili shtatë vite më parë ishte fatal për këto banorë ku pati edhe viktima.
 
“Nëse sërish do kemi shumë mbeturina nëpër lumenj, do kemi sërish bllokime dhe kolaps të tyre me çka sërish mund të na ndodh katastrofa. Po ashtu duhet edhe mbrojtja e natyrës, që të mos ketë efekt në rrjedha lumi dhe të na përsëritet katastrofa.”,- deklaroi ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman Marti.
 
“Ne kemi ndarë mjete për parkun kombëtar ku kishte deponi të egra dhe i pastruam gjitha ata. Por grumbullimi i mbeturinave bie në nivelin lokal. Por ne si qytetarë jemi të vetëdijshëm dhe do kujdesemi por na duhet infrastruktura, pra nëse ka kontejnerë besoj se qytetarët  nuk do krijojnë hedhje dhe deponi të reja.”,- u shpreh ministri i ekologjisë, Naser Nuredini.
 
Kreu i Komunës Bilall Kasami, ka paralajmëruar edhe shtim të kontrolleve të inspektoratit në terren, me qëllim parandalimin e deponive të egra. Sipas Kasamit  po bëhen edhe hetime mbi ndërtimet e egra që në malin Sharr s`kanë të ndalur.
 
“Ne si pushtet lokal kemi shtuar inspektimet në gjithë këtë pjesë që të mos na përsëritet vërshimet hedhja e mbeturinave dhe krijimi i deponive të egra. Po ashtu në bashkësitë lokale po punojmë për pajisje me kontejnerë dhe jemi në fuqizim të ndërmarrjes të mbledhim mbeturinat në çdo fshat të malësisë që të mos lejojmë hedhjen vend e pa vend të mbeturinave.”,- theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Projekti për rregullimin e shtratit të lumit të Shipkovicës, pritet të përmbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm.
 
VISAR SADIKI