Botë

Rakiq kërcënohet me bllokim të rrugëve në veri

27.10.2022 11:33

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës...

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse ndërmerret ndonjë veprim për konfiskimin e automjeteve me targa serbe. Këtë paralajmërim Rakiq e bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
 
“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq. Ai po ashtu tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.
 
“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”. "As unë nuk e di dhe askush nga ne që jetojmë atje poshtë se në çfarë do të shndërrohet situata nëse dikush me dhunë fillon të na marrë pronën”, shtoi Rakiq.
 
Takimi mes përfaqësuesve të Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vjen pesë ditë para se të skadojë afati për riregjistrimin e automjeteve në Kosovë. Ndërkohë një veturë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS  është djegur, njofton Policia e Kosovës.