Maqedoni
Xhaferi: Kuvendit i duhet një rregullore e re
27.10.2022 13:56
Është e qartë se Kuvendit i duhet një Rregullore e re, sepse kushdo që të vjen në punë me Rregulloren....

Është e qartë se Kuvendit i duhet një Rregullore e re, sepse kushdo që të vjen në punë me Rregulloren aktuale do ta ketë problem, tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në një takim me gazetarët sot. Ai bëri të ditur se për të premten ka thirrur mbledhjen e grupeve parlamentare në lidhje me procesin “Jean Monnet”, i cili mbulon pikërisht punën e Rregullores. Xhaferi konsideron se me Rregulloren e re duhet të zgjidhen shumë paqartësi dhe probleme që dalin nga dokumenti aktual i punës së Kuvendit, por duhet të bëhen edhe kufizime, si në miratimin e ligjeve të caktuara, ashtu edhe në zgjedhjet e zyrtarëve të caktuar.
Lidhur me Raportin e KE-së dhe vërejtjet e Bankës Botërore për kohëzgjatjen e miratimit të disa ligjeve, kryetari i Kuvendit ritheksoi se raporti pasqyron punën e Kuvendit dhe se edhe po të donte nuk mund të ndikonte në marrëdhëniet mes aktorëve politikë, duke theksuar se për dialog nevojiten dy palë.
“Koordinimet bëhen çdo javë, por VMRO-DPMNE nuk vjen. Nuk i kam instrumentet, kushtimisht thënë, për t'i detyruar palët të komunikojnë”,- thotë Xhaferi.
Në lidhje me përgjigjen ndaj nismës së të “Majtës” për referendum, Xhaferi tha se është përgjigjur konform dispozitave të Rregullores së punës. Sipas tij pritet që të premten të votohet zgjedhja e Risto Penovit për ministër të ri të Vetëqeverisjes Lokale, dhe për gjyqtarët kushtetues ndërsa seanca e 88-të të vazhdojnë nga e hëna, kur duhet të miratohen edhe ligjet lidhur me masat e krizës energjetike.
NAIM RAMADANI
