Maqedoni
Von Der Leyen: BE 75 milion euro Kosovës për krizën energjetike
27.10.2022 14:19
Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë Kosovës në përballjen e krizës energjetike...

Bashkimi Evropian do t’i ndihmojë Kosovës në përballjen e krizës energjetike, ka deklaruar në Prishtinë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Konkretisht Kosova do të përfitojë nga Bashkimi Evropian 75 milionë euro.
“Do të ofrojmë mbështetje të fortë për të ndërtuar kapacitete të reja për të zëvendësuar qymyrin me prodhim nga energjia e ripërtërishme. Kemi dhe planin 500 milionë euro që do ta mbështesë Kosovën në këtë aspekt, në plan afatshkurtër Kosova është e përfshirë në planin e BE-së. Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar.”,- tha presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
Von der Leyen ka folur edhe për çështjen e targave të automjeteve, me ç’rast ka thënë se është e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet.
“Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet. Në të njëjtën kohë nëse ka periudhë transitore, tranzicioni duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të shkoj siç duhet...E di që ka një përpjekje për të gjetur një zgjidhje në dialog dhe gjithashtu ju uroj për përpjekjet dhe për të gjitha gjërat që po bëhen në kuadër të dialogut.”,- theksoi presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen.
Osmani: Së shpejti detaje për propozimin franko-gjerman
Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ajo këto qëndrime i ka paraqitur në takimet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, falënderoi BE-në për mbështetjen në tejkalimin e krizës energjetike.
“Është vendimtare që BE-ja të na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë me përballje me krizat, me të cilat po ballafaqohemi në radhë të pare me krizën energjetike e cila ka kapluar edhe rajonin tonë.”,- tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani, njëherit ka deklaruar se vazhdimisht ka qenë në dijeni për iniciativën franko-gjermane për një marrëveshje, që do të sillte paqe afatgjate mes Kosovës e Serbisë.
“Do të ketë takim të institucioneve të Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e BE-së edhe me palën gjermane edhe me palën franceze, për detajet e kësaj iniciative që ka për qëllim paqen e stabilitetin në rajon.”, tha Osmani.
Osmani poashtu ka thënë se një shumicë e madhe e serbëve i kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe i kanë hequr ato të kohës së Millosheviqit, ndërkohë ka thënë se një pakicë e serbëve që janë nën presion të madh nga Beogradi prandaj nuk po e bëjnë një gjë të tillë. Ngjarjet e fundit në veri ku janë djegur dy vetura që i kanë konvertuar targat, Osmani thotë se janë treguese që kjo çështje është çështje e sundimit të ligjit, prandaj në këtë luftë presin përkrahje të SHBA-së dhe BE-së. Deklarata e Osmanit vjen pasi Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse ndërmerret ndonjë veprim për konfiskimin e automjeteve me targa serbe.
GYLTENE SINANI
