Maqedoni

Kuvend, Micevski: Të masim forcat në zgjedhje

27.10.2022 14:45

Zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të konfirmuar në popull marrëveshjet dypalëshe...

Zgjedhje të parakohshme parlamentare, për të konfirmuar në popull marrëveshjet dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë dhe kornizën negocuese me BE-në. Opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO DPMNE rikthen diskursin politik dhe dilemën se kush është tradhtar e kush patriot si dhe kërkesën për zgjedhje. Sipas deputetëve të grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, shumica e brishtë dhe vështirësia në funksionimin e institucioneve është e mundimshme si për pushtetin po ashtu edhe për opozitën. 
 
“Shoh se mbani fjalime parazgjedhore. Filluat me tribuna nëpër qytete, me toste dhe qofte. Hajde t’u japim fund këtyre përrallave dhe të shkojmë në zgjedhje dhe qytetarët të vlerësojnë nëse Marrëveshja, për të cilën ju duartrokisni, është në rregull ose jo. Të dalim të masim forcat pasi kjo situatë është maltretim edhe për ne edhe për ju. Deputetët tuaj ende i shoqërojnë dhe i sigurojnë me armë deri në Kuvend. Ja me polici lëvizin nëpër ndërtesë. Imagjinoni se si mund të lëvizin mes popullit.”,- deklaroi koordinatori i GP të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Mitreski: Do vazhdojmë takimet me qytetarët
 
Opozita është kontradiktore në vlerësimet e saj, u kundërpërgjigj pushteti. Takimet me qytetarë do të vazhdojnë për promovuar politikat tona, tha koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së. 
 
“Ju them se, në periudhën që vjen ne do të vazhdojmë me takimet me qytetarët, me bisedimet për politikat dhe planet tona; për atë që është bërë dhe krizën me të cilën po përballemi si dhe planin për çdo gjë që do të bëjmë në periudhën që vjen. Jo si kryetari “shpitz” i komunës i cili lëshon projekte të ish kryetarëve të komunës dhe projekte të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.”,- u shpreh koordinatori i GP të LSDM-së, Jovan Mitreski.
 
Nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, sqaroi se për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ka asnjë nismë zyrtare nga asnjë deputet ose grup parlamentare dhe se në momentin që 61 deputetë janë pro vetëshpërndarjes së Kuvendit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
SHPËTIM NUREDINI