Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: I kundërshtojmë në rrethana aktuale
27.10.2022 15:24
VMRO-DPMNE s’do mbështesë ndryshimet kushtetuese edhe përkundër pohimeve të kryetares së Komisionit Evropian

VMRO-DPMNE s’do mbështesë ndryshimet kushtetuese edhe përkundër pohimeve të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lajen, se ndryshimet do të miratohen në kuvend duke përfshirë bullgarët në kushtetutë. Kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickoski deklaroi se kundërshtojnë ndryshimet në rrethana të tilla, ndërkaq kritikoi edhe qasjen e kryetares së Komisionit Evropian Ursula Von Der Lajen sa i takon identitetit maqedonas duke i quajtur maqedono-verior.
“Nëse mendojnë që grupi parlamentar i VMRO – DPMNE-së do të mbështesë këto ndryshime kushtetuese në këto kushte dhe rrethana, atëherë publikisht e them se kjo s’do të ndodh. Ne kemi pozicion të qartë, se ndryshimet kushtetuese në këto rrethana ne nuk kemi ndër mend që të mbështesim.”,- deklaroi kryetari i VMRO–DPMNE–SË, Hristijan Mickoski.
Kasami: I mbështesim vetëm nëse hiqet 20%
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, nuk heq dorë nga kushtëzimi për ndryshimet kushtetuese me heqjen e definicionit 20% për gjuhën shqipe.
“Lëvizja Besa është pro ndryshimeve kushtetuese dhe gjithçka që ka të bëj me përshpejtimin e rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së dhe në këtë frymë e shohim edhe pjesën tjetër të cilën ne jemi të interesuar të jetë pjesë e ndryshimeve kushtetuese, që ka të bëj me largimin e definicionit 20% për gjuhën shqipe. Nesër në Strugë kemi mbledhjen e radhës të Kryesisë Qendrore sigurisht do të ndërtojmë qëndrim nëse Lëvizja Besa do të marrë një iniciativë të tillë.”,- theksoi Kasami.
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, është shprehur i gatshëm që të bisedojë me Mickoskin dhe liderët e partive të tjera për arritjen e marrëveshjes. Kryeparlamentari Talat Xhaferi në një takim me gazetarët tha se para hapjes së kushtetutës, duhet të hapet debat i gjerë, ndërkaq partitë politike të mendojnë më seriozisht dhe të prononcohen për ndryshimet kushtetuese.
Ndërkohë, presidenti Pendarovski është shprehur i rezervuar se për ndryshimet kushtetuese nuk duhet shpejtuar, pasi që ka edhe 14 muaj deri në përfundimin e skriningut.
MERAL ISMAILI
