Maqedoni
Bekteshi: Çmimet e produkteve bazë do të ulen
27.10.2022 16:09
Çmimet e qumështit, vajit për gatim, bukës dhe drithërave pritet të ulen....

Çmimet e qumështit, vajit për gatim, bukës dhe drithërave pritet të ulen. Kjo pasi që kompanitë e kësaj industrie do të furnizohen me energji elektrike më të lirë. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi pas takimit me përfaqësues të industrisë ushqimore tha se po diskutohet që në këtë grup të kompanive të futen edhe kompanitë e mishit dhe prodhimeve të mishit, ndërsa theksoi se me ndihmën në fjalë kompanive do t’u ulen kostot e prodhimit.
“Sipas bisedimeve me Ministrinë e Financave, hapësirën financiare që e kemi, me siguri do të jetë nën 100 euro për MW/h, që do të thotë se do të jetë dyfish më lirë se tani që është në tregun e rregulluar, ndërsa po thuaj se trefish ose më tepër që është në tregun e hapur. Me këtë me siguri se do të ulen shpenzimet operative të kompanive deri në fund të prillit.”, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
Shteti ka mekanizma që nëqoftë se këta industri nuk i stabilizojnë çmimet në treg të reagojë në mënyrë adekuate. Ende është në lojë edhe ngrirja e çmimeve. Nga Lidhja e Odave Ekonomike thonë se këto masa janë vetëm hapi i parë, të nevojshme janë edhe hapat tjera, por presin stabilizim të tregut dhe çmime më të ulëta për 10%.
“Pas kësaj mase do të ketë stabilizim të tregut. Do të thotë ai stabilizim do të jetë për një muaj, ku do të shihet se në mënyrë konkuruese si do të ndikojë te prodhuesit dhe përfundimisht do të mund të shihet ndonjë ulje prej 10% të produkteve bazë ushqimore. Por, që të shkohet më thellë, pra që të zbresin çmimet më shumë, nevojitet të bëhen edhe disa hapa tjerë.”, tha Goran Gjerogievski nga LOE.
Prodhimi vendor i energjisë elektrike pritet të rritet. Bekteshi njoftoi se nga 1 nëntori me punë do të fillojë edhe kompania TeTo, e cila prodhon energji elektrike dhe energji termike.
ERSAN PAJAZITI
