Maqedoni

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkon shkarkimin e drejtorit të “Ujësjellësit”

27.10.2022 17:59

Ka kaluar afati që punëtorët e Ujësjellësit ia dhanë kryetares Arsovska për të përmbushur kërkesën e tyre...

Ka kaluar afati që punëtorët e Ujësjellësit ia dhanë kryetares Arsovska për të përmbushur kërkesën e tyre sindikale dhe për të shkarkuar ushtruesin e detyrës drejtorin Mitovski, të cilin e akuzojnë se me kërcënime dhe shantazhe menaxhon me ndërmarrjen.
 
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Darko Dimovski, ka paraqitur edhe një dëshmi se Mitovski nuk i plotëson kushtet për të mbajtur postin publik për shkak të aktgjykimit të formës së prerë për vepër të kryer.
 
“Ka kryer vepër penale ka sulmuar personat me armë të ftohtë me  thikë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Në faqen e fundit të aktgjykimit është vendimi udhëzues ku i referohet vuajtjes së dënimit me burg, ja provat, i bëj thirrje drejtorit, Marjan Mitovski, të jep dorëheqje të paktën për arsye morale, sepse ne punëtorët kemi shumë frikë duke e ditur se çfarë i ka bërë një njeriu tjetër me armë të ftohtë.”,- tha kryetari i LSM-së, Darko Dimovski.
 
Por, Mitovski i mohon akuzat e kryetarit të LSM-së Dimovskit, duke thënë se për të nuk ka aktgjykim, ndërsa sindikalisti i parë po përhap gënjeshtra sepse gruas së tij, Lila Dimovska, e cila ishte e  punësuar në “Ujësjellës dhe Kanalizime” i janë hequr privilegjet. Mitovski paralajmëroi padi kundër Dimovskit. 
 
Ndërkohë, Dimovski është përgjigjur se gruaja e tij nuk ka përdorur celular dhe automjet zyrtar dhe nëse po, le të iniciojnë procedurë disiplinore. Sindikata e Maqedonisë duhet të marrë vendim për grevë të punëtorëve të NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI