Maqedoni

Ish objekti i Radio Tetovës, mollë sherri mes komunës dhe shoqatës “Space”

27.10.2022 18:21

Ish objekti i Radio Tetovës është bërë “mollë sheri” mes komunës së Tetovës dhe Shoqatës për Kulturë “Space”...

Ish objekti i Radio Tetovës është bërë “mollë sheri” mes komunës së Tetovës dhe Shoqatës për Kulturë “Space”. Komuna e Tetovës akuzon këto të fundit se hapësirat e kësaj shoqate nuk shfrytëzon për aktivitete kulturore, por se aty ka dyshime për aktivitet pornografike. Kasami tha se ka edhe peticion të arkivuar në komunën e Tetovës nga banorët e lagjes që duan të largojnë këtë shoqatë.
 
“Fillimisht ankesat e prindërve janë për fëmijët që janë nën moshën 18 vjeçare, ndërsa bëhen aktivitete që realisht duhet të jenë për moshat mbi 18 vjeçare, por ankesa të tilla kam edhe unë personalisht nga prindër të nxënësve në shkollë fillore jo të mesme. Pra aktivitete pornografike.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Nga Shoqata “Spece” thonë se deklarata e kreut të komunës është shokuese dhe e pa vërtetë. Sipas tyre aktivitete nga kjo shoqatë ka pasur nga të gjitha moshat. Ato thonë se këto akuza do ti dorëzojnë deri tek organet gjyqësore.
 
“Ne si komunitet për këtë dezinformim dhe shpifje të rëndë do iu drejtohemi institucioneve kompetente ligjore, ambasadave të shteteve mike dhe gjithë qytetarëve të lirë, që të denoncojnë këtë akuzë fyese dhe makabre, dhe injorancës tipike mesjetare. Kjo është e turpshme që s`meriton përgjigje sepse realisht gjitha aktivitetet e Kulturës “Space” janë publike, online dhe të dokumentuara se çka ka ndodhur.”,- u shpreh Muhamer Mustafa nga “Cultural Space Tetova”.
 
Shoqata  për Kulturë “Space”, sipas një rekomandimi nga komuna e Tetovës, ka afat që deri në fund të këtij muaji të lirojnë hapësirat. Nga Komuna e Tetovës thonë se objektin e ish Radio Tetovës është zgjedhë që të shfrytëzohet nga të gjithë organizatat që veprojnë në komunën tonë, përfshirë edhe shoqatën në fjalë, të cilët do të aplikojnë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, dhe kjo do të bëhet përmes Njësisë për kulturë dhe sport të Sektorit për veprimtari publike.
 
VISAR SADIKI