Maqedoni
Sërish alarm për bombë, kërcënohen edhe 5 shkolla tjera
27.10.2022 18:43
Për ditën e dytë me radhë nxënësit e shkollave të mesme të Shkup nuk kanë mundësi të zhvillojnë procesin edukativo-arsimor...

Për ditën e dytë me radhë nxënësit e shkollave të mesme të Shkup nuk kanë mundësi të zhvillojnë procesin edukativo-arsimor në bazë të orarit të paraparë për shkak paralajmërimeve se gjoja në të njëjtat shkolla janë instaluar bomba, të cilat në çdo moment mund të shpërthejnë.
Këto kërcënime fillimisht ishin të pranishëm gjatë ditës së djeshme në tetë shkolla të ndryshme, ndërsa e njëjta ka vazhduar edhe të enjten në pesë shkolla tjera. Për momentin denoncime për instalim të bombave ka në Shkollat “Cvetan Dimov” në Çair, Shkollën e Mesme “Rade Jovçevski Korçagin” si dhe në Shkollën e Mesme “Maria Kiri Skllodovska”. Inspektorët e lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme pasi kanë pranuar të njëjtat denoncime kanë dhënë urdhër që shkollat të boshatisen për shkaqe sigurie.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme po ashtu kanë informuar se me kohë janë marrë me seriozitetin më të madh të gjitha paralajmërimet dhe e-mailat të cilat kanë arritur deri tek kjo ministri, ku në të njëjtat shkolla kanë shtuar dukshëm forcat policore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në një intervistë për Televizionin Shtetëror ka pohuar se të gjitha këto ndërtesa janë kontrolluar hollësisht dhe se janë duke punuar në zbardhjen dhe qëllimin e këtyre informacioneve të rrejshme të cilat po vijnë.
“Të gjitha objektet shkollore janë kontrolluar nga sektori për anti-terroristë dhe kemi konstatuar se bëhet fjalë për informacione të rrejshme, por ne kemi hapur hetim të gjerë dhe deri më tani kemi edhe informacionet e para se nga kush mund të vijnë këto dezinformata. Por, më e rëndësishme do të ishte që detalisht t’i zbardhim të gjitha IT adresa nga të cilat vinë këto e-maile, të cilat unë i quaj edhe si veprime monstruoze. Pa marrë parasysh a bëhet fjalë për sulm hibrid, apo luftës hibride, apo ndoshta edhe lojëra politike, që mund të jetë edhe njëra nga arsyet. Por pa marrë parasysh se nga kush vjen, nuk duhet të lejojmë që dikush të luan me fatin e fëmijëve dhe me fatin e të gjithë ne, sepse kjo është një temë sensitive”, - deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Spasovski po ashtu pohoi se të gjithë këto të cilët kanë porositë dhe po vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën, duhet ta dinë se një ditë do të japin llogari.
FITIM KRYEZIU
