Maqedoni
LSM: Punonjësit e NP “Ujësellës dhe Kanalizmi” të shqetësuar për sigurinë e tyre
28.10.2022 16:57
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në një letër drejtuar mediave pretendon se punëtorët e NP “Ujësellësi” Shkup...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në një letër drejtuar mediave pretendon se punëtorët e NP “Ujësellësi” Shkup kanë kërkuar ndihmë nga LSM, pas dokumenteve të publikuara se drejtori i tanishëm, Marijanço Mitovski është i dhunshëm dhe i denuar me burg. Punonjësit kanë frikë se drejtori mund t'i sulmojë në vendet e tyre të punës, thonë nga LSM.
“Punonjësit e NP “Ujësellës dhe Kanalizim” të cilët investojnë maksimalisht dhe me sakrificë dhe u mundësojnë qytetarëve të Shkupit që në vazhdimësi të përmbushen të drejtën e tyre themelore njerëzore, që është qasja deri tek uji dhe një jetë me mjedis të pastër, meritojnë punë të denjë dhe të sigurt. Punëtorët dhe sindikatat pyesin se kush do të jetë përgjegjës nëse ndodh diçka? A e merr Arsovska përgjegjësinë e përgjithshme sepse emërimi i ushtruesit të detyrës është vendim i saj”, pyesin nga LSM.
Drejtori i ri i NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” zëvendësoi Zlatko Perinskin, bashkëpunëtor i afërt i Mickoskit, të cilin Arsovska e shkarkoi për shkak të tenderit kontestues prej 136 milionë eurosh për një stacion për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup. Mitovski që nga dita e parë e drejtimit të kësaj ndërmarje është përcjellë me skandale dhe akuza për dhunë dhe presion.
SEDAT SELIMI
