Botë

Stano: Të respektohen marrëveshjet për vizita zyrtare

28.10.2022 18:25

Bashkimi Evropian kërkon që Serbia dhe Kosova të respektojnë marrëveshjen për vizitat zyrtare...

Këto deklarime vijnë pasi policia e Serbisë, ia pamundësoi Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, që të vizitojë Beogradin, për të marrë pjesë në dy konferenca.
 
Peter Stano zëdhënës i Bashkimit Evropian, ka deklaruar se kërkohet nga të dyja palët, që të zgjidhin çdo mosmarrëveshje dhe keqkuptimet e tilla në dialog dhe në mirëbesim, duke përdorur kanalet e vendosura të komunikimit të Zyrtareve Ndërlidhëse. 
 
“Të dyja palët duhet të respektojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara dhe të zbatojnë detyrimet që janë në pritje, përfshirë këtu edhe vizitat zyrtare”, ka nënvizuar Stano. 
 
Të enjten, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte nisur drejt Beogradit, për të marrë pjesë në dy konferenca. Megjithatë, disa kilometra para se të mbërrinte në kryeqytetin serb, ai është ndaluar dhe kthyer nga policia e Serbisë, nën pretekstin se nuk mund t’i ofrojnë siguri.