Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Heqja e 20%-it në momentin e duhur
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti....

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti vlerëson se kërkesa për heqjen e 20%-it nuk paraqet problem për të, pasiqë ndryshimi mund të arrihet në momentin e duhur me sigurimin e 80 deputetëve.
Ahmeti thotë se për këtë ka marrë pëlqimin e partive maqedonase, ndërkohë sikurse në vitin 2001 edhe tani konsideron se përkufizimi për gjuhën shqipe nuk cënon të drejtat dhe avancimin e shqiptarëve.
“Nuk ka asnjë problem, ne e kemi diskutuar edhe me VMRO – në, kemi diskutuar edhe me LSDM-në, në momentin e duhur që ne do ti kemi 80 mandate me dy të tretën sepse është ndryshimi I kushtetutës, ky problem edhe mund të rregullohet. Por unë u siguroj sepse 20% nuk e cënon substancën shqiptare në këtë vend dhe nuk e kam shqetësim se kjo nuk do të ndodh nesër. Kjo do të ndodh në momentin e duhur, me një marrëveshje, sepse nuk humbin asgjë bashkëqytetarët tanë maqedonas nëse nga 20% shkruhet populli shqiptar.” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ndryshimet kushtetuese, Ahmeti: Të patjetërsueshme, akt historik
Sipas Ahmetit futja e bullgarëve në kushtetutë duhet patjetër të përmbushet, që vendi të ec para në integrimin e saj.
“Ne duhet të përmbushim detyrimet që dalin nga marrëveshja për fqinjësi të mirë, të bëjmë ndryshimin e kushtetutës dhe bullgarët të jenë kategori kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është moment historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas që ata të legjitimohen ndërkombëtarisht si komb.” – u shpreh Ahmeti.
Partneri i integristëve në qeveri, Alternativa, do të mbështesin heqjen e formulimit matematikor 20% për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar, por që këto propozime nuk duhet të jenë kërcënuese dhe shantazhuese.
Blloku opozitar shqiptar nuk heq dorë nga kushtëzimi për ndryshimet kushtetuese me heqjen e përkufizimit 20%.
Ndërkohë VMRO – DPMNE kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese. Kryeministri Dimitar Kovaçevski është shprehur i gatshëm që të bisedojë me Mickoskin dhe liderët e partive të tjera për arritjen e marrëveshjes. (Meral Ismaili, TVM2)
