Maqedoni
Aliti: Ligjet e reja, do ta depolitizojnë administratën
31.10.2022 14:10
Me ndryshimet ligjore në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Nëpunës Administrativ...

Me ndryshimet ligjore në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe Ligjin për Nëpunës Administrativ, Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti, vlerëson se do të depolitizohet administrata. Sipas Alitit, nuk përbën problem nëse persona të caktuar i përkasin ndonjë strukture politike, por që problemi është në parandalimin e pranimit në punë të personave të pakualifikuar. Me këtë nuk do të ketë keqpërdorim të balasuesit gjatë punësimit. Përkatësia etnike nuk do të mund të ndryshohet sikurse nuk mund të ndryshohet numri amë.
“Me këto dy ligje tani që i propozojmë mendojmë se japim kontribut të madh në departizimin e administratës publike sepse çdo punësim do të jetë transparent dhe kemi vendosur mekanizma me të cilët e bllokojmë mundësinë që partitë politike ti vendosin njerëzit e vetë të cilët janë të pakualifikuar për t’u futur në administratë publike. Në qoftë se ligji kalon kështu siç është, do të japim një kontribut të madh në bërjen e administratës publike të ngjashme me shumë shtete në BE.”, tha Admirim Aliti, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Deanovski: Pozitat udhëheqëse të mos i takojnë partisë
Ndërkohë, për Sindikatën e punëtorëve menaxhues, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve, pa sjelljen e Ligjit për pozita të larta udhëheqëse, sjellja e këtyre dy ligjeve do të jetë e kotë. Nga Sindikata janë kundër punësimeve të reja dhe kërkojnë avansimin e të punsuarve aktual. Të dhënat tregojnë se tre vitet e fundit 4500 administratorë e kanë lënë vendin e punës në administratë për tu punësuar në sektorin privat apo jashtë vendit.
“Për mua problem është që këtu nuk ndodhet Ligji për pozita të larta udhëheqëse.Nëse duam reforma në Administratë Ligji i parë që duhet të sillet është Ligji për pozita të larta udhëheqëse ku do të kufizohet gjegjësisht do të pamundësohet që Qeveria të emërojë Drejtorë,Sekretarë gjeneral,sekretarë shtetëror.Ato funksione duhet ti kryejnë njerëz professional .Nuk janë problemi të punësuarit,por menaxherët, gjegjësisht partitë politike që vetë punësojnë njerëz,sjellin vendime pa u konsultuar.”, tha Trpe Deanovski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve Menaxhues, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve.
Aliti gjithashtu njoftoi se deri në fund të këtij viti do të dorëzojnë në Kuvend ndryshimet ligjore për riorganizim të administratës publike ,ku do të mbyllen disa institucioneta panevojshme dhe do të krijohen institucione të tjera të rëndësishme dhe të gjitha agjencitë dhe institucionet do të jenë nën ministritë përkatëse. Për këtë Qëllim Aliti shpreson se deri në fund të këtij viti kjo çështje do të rregullohet me ligj.
FLORIJE BELULI KAMBERI
