Ukrainë, sulme ruse ndaj infrastrukturës energjetike

31.10.2022 19:25

Ushtria ruse ka vazhduar sulmet në disa qytete të Ukrainës....

Ushtria ruse ka vazhduar sulmet në disa qytete të Ukrainës, ndërsa zyrtarët ukrainas thanë se në shënjestër ishin objektet e infrastrukturës.

Kryebashkiaku e Kievit, Vitali Klitçko, tha se sulmet ndërprenë furnizimin me energji dhe ujë në disa pjesë të qytetit. Ndërsa nga presidenca ukrainase, thanë se raketat ruse synuan “instalimet e energjisë elektrike në një numër rajonesh të Ukrainës”.

Ndërkohë Ukraina nuk e ka konfirmuar apo mohuar sulmin ndaj flotës ruse, të cilën Rusia e përmendi të shtunën si arsye për pezullimin e pjesëmarrjes së saj në një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë drithin.

Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara po punojnë për të vazhduar transportet e drithit përmes Detit të Zi, pasi Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në një marrëveshje për këtë çështje të ndërmjetësuar nga OKB-ja.