Gjykimi për Rashkovskin, Rashkovski: Softueri u sigurua në mënyrë ligjore
Ish sekretari general i Qeverisë, Dragi Rashkovski, edhe më tej konstaton se sofëteri për sigurinë...

Ish sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski, edhe më tej konstaton se softueri për sigurinë në komunikacion është siguruar në mënyrë ligjore duke i respektuar të gjitha procedurat.
Rashkovski tha se ka kërkuar nga trupi gjykues që të sillen pajisjet në njërën nga seancat e radhës që të testohet në prezencë të të gjithëve.
Sipas Rashkovskit, dëshmia e ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovski, është në favor të tij dhe se çdo institucion disponon dhe bën blerje sipas mjeteve që disponon brenda buxheteve të tij. Rashkovski është në qëndrimin se softueri është siguruar për analiza se si të ulet numri i shkeljeve në komunikacion.
“Qeveria nuk mund dhe nuk duhet të ndëshkojë. Ndëshkimi është në kompetencë të Ministrisë së Brendshme. Dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Prokurimi është analiza që duhet të tregojë se ku janë pikat e dobëta dhe cilat janë shkaqet më të shpeshta të aksidenteve në trafik. Kur të jetë radha jonë për të prezantuar, do të shihni se çfarë analizash bën softueri dhe do të shihni se si analizat do të kontribuojnë, kanë kontribuar dhe do të japin një kontribut për zhvillimin e sigurisë në vend.”,- deklaroi i akuzuari, Dragi Rashkovski.
Rashkovski tha se softuer të tillë përdorin shumë shtete. Aktakuza për rastin “Softuerët” përfshin blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë, nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush.
Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
