Komisioni për Sistem Politik aprovon pr/ndryshimet në Ligjin për Shoqata dhe PP
Kuvendi me hapa konkretë për të parandaluar...

Kuvendi me hapa konkretë për të parandaluar regjistrimin e shoqatave, fondacioneve dhe partive politike që nxisin urrejtje në baza të ndryshme dhe rrezikojnë rendin kushtetues.
Komisioni për sistem politik shqyrtoi propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të propozuar nga deputetja opozitare Rashella Mizrahi dhe propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për partitë politike, të propozuar nga një grup deputetësh nga shumica parlamentare.
Meqë të dy propozim ligjet kanë të njëjtin qëllim, unanimisht u vendos që këto dy propozim ligje Komisioni t’i procedojë në procedurë të mëtejme parlamentare.
“Konsideroj se është më se e nevojshme që të miratohet një zgjidhje e tillë ligjore, të rikujtojë se në pyetje deputetësh, pas hapjes së klubit Ivan Vançov MIhajllov, kryeministri Kovaçevski deklaroi se është dhënë udhëzim të gjithë institucioneve me kompetencë që të stopojnë proceset e hapjes së klubeve të tilla. Por, gjashtë muaj më vonë kishim hapjen e një klubi në Ohër në emrin e Carit Borisi i Tretë, bartës i ligjit për komb të pastër dhe tatimit të njëhershëm. Për pasojë patëm ekzodus të popullatës hebre.”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi.
“Duhet të biem dakord se nxitja e urrejtjes ose mosdurimit nacional, racor ose fetar, mosdurimit etnik, mostolerancës, urrejtjes, gjenocidit, zhdukjes, përhapjes ose mbështetjes së fashizmit, nacizmit, nacionalsocializmit dhe rajhut të tretë ose duke iu referuar personave dhe ngjarjeve të së kaluarës që lidhen me fashizmin, nacizmin, nacionalsocializmin dhe rajhun e tretë, prekin thellë ndjenjat e qytetarëve të vendit dhe themelet e shtetit tonë.”,- theksoi deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska Vançeva.
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve respektove vjen pas hapjes së disa shoqatave, të ashtuquajtura bullgare, e që për shkak të emrave kanë nxitur kundërshtimin e popullatës maqedonase.
Themelimi i shoqatave që prishin rendin kushtetues sanksionohet edhe Kushtetutë.
“Programet dhe veprimtaria e shoqatave civile dhe partive politike nuk mund të orientohen drejt rrënimit të dhunshëm të rendit kushtetues të Republikës dhe drejt nxitjes ose thirrjes së agresionit ushtarak, ose nxitjes së urrejtjes ose mosdurimit kombëtar, racor ose fetar. Ndalohen shoqatat ushtarake ose gjysmëushtarake, të cilat nuk u takojnë forcave të armatosura të Republikës së Maqedonisë.”- thuhet në paragrafin e tretë, Neni 20, i kushtetutës. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
