Sulmet ruse në objektet energjetike, në Kiev riparohen dëmet, por pjesa më e madhe në errësirë

01.11.2022 20:44

Në disa zona të Kievit....

Në disa zona të Kievit është riparuar furnizimi me ujë dhe energji elektrike pas sulmeve të mëdha ruse në disa objekte kryesore energjetike, por pavarësisht kësaj një pjesë e madhe e kryeqytetit vazhdon të jetë në errësirë dhe të ballafaqohet me mungesën e theksuar të ujit dhe energjisë elektrike.  

Rreth 40% të banorëve të kryeqytetit janë pa ujë, ndërsa mbi 270 mijë amvisëri  janë pa rrymë. Banorët dëshmojnë për bombardimet e mëdha ruse të cilët i kanë përjetuar gjatë mbrëmjes së hënë dhe mëngjesin e së martës.

“Ne jetojmë afër një termoelektranë dhe gjatë bombardimit të kësaj ane,  po dridhej gjithçka për rreth nesh aq shumë”,- theksoi një qytetare.

“Mendojë se po dëshirojnë ta vrasin kombin tone.  Dëshirojnë të na asgjësojnë sepse askush prej nesh nuk po dorëzohet andaj edhe ata po hakmerren.”,- tha një qytetare.

Presidenti Zelensky premton se Ukraina mbetet e vendosur të bëjë çmos për të garantuar sigurinë botërore dhe njëkohësisht të punojë për të rikthyer vendet e okupuara dhe të vazhdojë me eksportin e grurit.

Gjatë mëngjesit të sotëm terroristët rus përdorën 55 raketa, prej të cilave 45 fatmirësisht i rrëzuam. Falënderoj shumë të gjithë komandantët të forcave ajrore dhe tokësore dhe  gjithë ushtrinë tonë të cilët mbrojtën denjësisht qielli tonë”,- deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky.

Edhe pse Zelensky tha se Ukraina vazhdon me eksportin e grurit jashtë vendit, Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendimi për këtë është i pezulluar derisa Kiev nuk garanton se nuk do të ketë kanosje ndaj anijeve civile dhe furnizimit me mallra për anijet ruse.

Në ndërkohë, ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike filluan hetimet në dy lokacione në Ukrainë ku autoritet ruse pretendojnë se Ukraina po e prodhon “bombën e ndyrë”  me përmbajtje bërthamore. 

Në ndërkohë disa media botërore kanë raportuar se Irani po përgatitet të dërgoj rreth 1000 armë shtesë duke përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër  tokë-tokë dhe shumë drone sulmuese në Rusi për ti përdorur në luftën e saj kundër Ukrainës. (Rexhep Qamili, TVM2)