Maqedoni

Takimi i liderëve, Jashari: I arsyeshëm edhe pse s’priten rezultate

02.11.2022 14:03

Maqedonia e Veriut, me gjithë problemet e trashëguara tanimë 30 vite...

Maqedonia e Veriut, me gjithë problemet e trashëguara tanimë 30 vite, ka nevojë për takime të liderëve, edhe pse ky i fundit, i thirrur nga kryeministri për të hënën, s’do të rezultojë me qëndrime afatgjate dhe të qëndrueshme, vlerëson profesori universitar, Hasan Jashari. Sipas tij, pesimizmi për harmonizim të qëndrimeve për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, vijon si pasojë e ndasive të thelluara politike për këtë çështje. Jashari konsideron se lideri i VMRO–DPMNE–së në takim duhet të mbrojë interesat qytetare.
 
“VMRO duhet të gjejë fuqi, duhet të gjejë forca që të ndajë qëndrimin e vet partiak prej qëndrimeve dhe strategjive të gjithëmbarshme të republikës dhe të qytetarëve. Natyrisht se nuk mund të presim shumë, mirëpo ia vlen të bisedohet.”,- deklaroi profesori universitar, Hasan Jashari.
 
Takimi i partive shqiptare, Jashari: Të këmbëngulin për zyrtarizimin e shqipes
 
Paralelisht takimit të liderëve edhe opozita shqiptare ka ftuar partitë shqiptare për takim, që do të mbahej javën që vjen për heqjen e 20%-it. Sipas profesorit Jashari, partitë shqiptare duhet të luftojnë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe këtë kërkesë ta shtrojnë në takimin e liderëve. 20%-i është vetëm një simbolikë, që nuk ndryshon konceptin e përgjithshëm të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, vlerëson Jashari.
 
“Koha ka ardhur që edhe ne të shohim interesat tona. Natyrisht që tani nuk duhet kushtëzuar por është e mira që të bëhet një dokument i shkruar i cili garanton se në një të ardhme të afërt do të hapet edhe kjo çështje, d.m.th. patjetër duhet të kemi disa garanci të cilat do të bëhen publike, jo të bëhen në mes partive. Partitë shqiptare duhet publikisht të kërkojnë që gjuha shqipe të jetë zyrtare, jo të bëjnë 20%-in, i cili e kufizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të vetëqeverisjes lokale d.m.th. komunat shqiptare, organet e tyre dhe atë si përkthim, pra nuk është përdorim vetëm i gjuhës shqipe, por  njëherë në maqedonisht të shkruhet pastaj në gjuhën shqipe.”,- theksoi profesori universitar, Hasan Jashari.
 
Sipas njoftimit të qeverisë, takimi i liderëve të partive parlamentare do të mbahet të hënën në hapësirat e kuvendit, ku do të hapet debat për të ardhmen europiane të vendit dhe për vendimet që duhet të merren në të ardhmen me konsensus të gjerë politik.

MERAL ISMAILI