Maqedoni

Ligji për Shoqatat dhe për Partitë Politike, miratohen njëzëri ndryshimet ligjore

02.11.2022 14:14

Pushteti dhe opozita njëzëri miratuan ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shoqata dhe Fondacione...

Pushteti dhe opozita njëzëri miratuan ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shoqata dhe Fondacione, të propozuar nga deputetja opozitare, Rashella Mizrahi, dhe propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për partitë politike, të propozuar nga një grup deputetësh nga shumica parlamentare. Ndryshimet ligjore kanë për qëllim parandalimin dhe regjistrimin e shoqatave, fondacioneve dhe partive politike që nxisin urrejtje në baza të ndryshme dhe rrezikojnë rendin kushtetues.  
 
“Ne duhet të forcojmë përkushtimin moral dhe politik të qeverisë dhe institucioneve tona për të siguruar mundësinë që gjeneratat e ardhshme të kuptojnë arsyet e pandemisë së urrejtjes dhe çmendurisë nga Lufta e Dytë Botërore në të cilën Maqedonia dha më shumë se 25 mijë viktima, nga të cilat 7144 ishin hebrenj. Pikërisht për këto arsye ne sot do të miratojmë një ligj të vogël por domethënës që do të përdoret për të mbrojtur të kaluarën antifashiste dhe të vërtetën historike të vendit tonë.”,- deklaroi Rashela Mizrahi nga VMRO-DPMNE.
 
“Të dy ligjet kanë një qëllim të vetëm dhe ky synim vjen nga neni 20 i kushtetutës, dhe plotësohet me sfidat e kohës, marrëdhënieve dhe zhvillimeve të reja e që kontribuuan në krijimin e nevojës për ndryshime të tilla. Synimi i propozim ligjit i cili përmban dy dispozita, është rrit transparencën dhe distancimin nga gjithçka që do të thotë fashizëm, që do të thotë nazizëm, nacional-socializëm dhe sigurisht garanton sigurinë juridike të qytetarëve.”,- tha Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM.
 
Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e dy ligjeve tashmë të miratuara nga Kuvendi, vjen pas hapjes së disa shoqatave, të ashtuquajtura bullgare, e që për shkak të emrave kanë nxitur kundërshtimin e popullatës maqedonase.

NAIM RAMADANI