Maqedoni

Thirrja për takim, Lëvizja Besa: Duhet të tejkalojmë vetveten

02.11.2022 14:47

Ftesa e Lëvizjes BESA për takim të partive shqiptare për të unifikuar qëndrimin rreth ndryshimeve kushtetuese...

Ftesa e Lëvizjes BESA për takim të partive shqiptare për të unifikuar qëndrimin rreth ndryshimeve kushtetuese, kryesisht për heqjen e 20 përqindëshit, duket se është e destinuar të dështojë. Nga Lëvizja “Besa” thanë në “Argument” në TVM2 se duhen tejkaluar ndasitë politike për një qëllim më madhor. 
 
“Kur është ky element, apo kjo komponentë që ka të bëjë me definimin real të pozitës së shqiptarëve si një element kushtetues shumë i rëndësishëm, unë nuk kam mëdyshje që ne i tejkalojmë vetën dhe të gjitha ato aspiratat që si subjekt politik mund të kemi.”,- tha nënkryetarja e Lëvizjes “Besa”, Besa Kadriu.
 
 
Thirrja për takim, Lëvizja Besa: Duhet të tejkalojmë vetveten
 
Por, për Alternativën dhe PDSH-në nuk ka logjikë të thirret tryezë e partive politike shqiptare për çështjen e 20 për qindëshit, kur të gjitha subjektet kanë treguar se janë pro ndryshimit të këtij formulimi.
 
“Nuk mendoj se ka nevojë me u taku për me tregu se çfarë qëndrimi kemi për atë çështje dhe ne si Alternativë jemi që në ndryshimet e ardhshme kushtetuese, të përfshihet kjo sepse është ndryshim i vonuar dhe duhet të bëhet. Është vetëm sa për të përfituar ndonjë pikë politike ditore.”,- theksoi Admirim Aliti nga Alternativa. 
 
PDSh: Është kurth, i nxjerr shqiptarët si kushtëzues
 
“Lëvizja Besa është subjekti i fundit që mund të kërkojë një tryezë të tillë, dhe këtë e konsiderojmë si një kurth, dhe me këtë tentim dhe me këtë tryezë mendoj se tentohet që të krijohet një përshtypje në opinion dhe para faktorit ndërkombëtarë se shqiptarët janë faktorë kushtëzues të proceseve integruese.”,- u shpreh Sali Ajdini nga PDSh.
 
Thirrja për takim, BDI: Procesi duhet të rrjedhë natyrshëm
 
Edhe nga BDI kanë pohuar se kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e agjendës kombëtare të partive politike shqiptare dhe ky proces duhet të rrjedhë natyrshëm, pa u krijuar bujë e madhe në opinion, dhe në këtë drejtim nuk duhet të ketë hezitim nga asnjë subjekt politik.   

FITIM KRYEZIU