Botë

Eksportet e grurit ukrainas, Rusia rikthehet në marrëveshjen paraprake

02.11.2022 16:52

Rusia do të rikthehet në marrëveshjen që mundëson eksportimin e produkteve të grurit nga Ukraina....

Rusia do të rikthehet në marrëveshjen që mundëson eksportimin e produkteve të grurit nga Ukraina. Ministria ruse e Mbrojtjes ka pranuar garanci me shkrim nga Kievi se korridori në Detin e Zi, për bartje të grurit, nuk do të përdoret për operacione ushtarake kundër Rusisë. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sqaron se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i ka thënë homologut të tij turk se marrëveshja e 22 korrikut do të zbatohet prej mesditës së 2 nëntorit.
 
“Këshilla është që Prioritet t’i jepet vendeve afrikane si Somalia, Xhiuti dhe Sudani, pasi Rusia shprehu shqetësimin se pjesa më e madhe e drithërave do të përfundojë në vendet e pasura.”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
 
Rusia e pezulloi  pjesëmarrjen në marrëveshje, duke thënë se nuk mund të garantojë më sigurinë e anijeve civile në Detin e Zi, për shkak të një sulmi në flotën e saj. Ukraina e ka konsideruar këtë deklaratë si arsyetim të rremë për shmangie të marrëveshjes. Edhe pse anijet  vazhduan  eksportin e  grurit,  kompanitë e sigurimit thanë  se nuk do të nënshkruajnë kontrata të reja për shkak të vendimit të Moskës.
 
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, alarmoi një ditë më parë se bota duhet të përgjigjet ashpër ndaj tentimeve të Rusisë për të bllokuar korridorin në Detin e Zi për eksportet ukrainase. Bllokada ruse ka rezultuar me mungesa ushqimesh në botë dhe rritje të çmimeve, pasi Ukraina dhe Rusia janë ndër furnizueset më të mëdha në botë të drithërave.
 
BELINDA KOKA ADEMI