Maqedoni

Sërish paralajmërime për bombë, evakuohen 8 shkolla të mesme në Shkup

02.11.2022 17:17

Sërish nxënësit e 8 shkollave të mesme në Shkup janë evakuuar, pasi në adresat elektronike të shkollave....

Sërish nxënësit e 8 shkollave të mesme në Shkup janë evakuuar,  pasi në adresat elektronike të shkollave mbërritën mesazh me përmbajtje kërcënuese për vendosjen e bombave në objektet shkollore. Ekipet e anti-terrorizmit dolën menjëherë në terren dhe evakuuan nxënësit dhe stafin pedagogjik. Policia po heton nëse mesazhet janë dërguar nga e njëjta adresë e-maili si ditët e kaluara.
 
“Në Sektorin për Punë të Brendshme-Shkup, rreth orës 14:30, është raportuar se në adresat elektronike të gjashtë shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për bombë. Rreth orës 15:00, SPB - Shkup njoftoi se një kërcënim i tillë ka arritur edhe në adresat e emailit të dy shkollave të tjera. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, efektivët e policisë kanë marrë masat për evakuimin e sigurt të tetë shkollave.”,- thonë nga MPB.
 
Pavarësisht se tashmë njësiti anti-terror në MPB konstatoi se bëhet fjalë për paralajmërime të rreme të bëra me qëllim dhe paramendim, serioziteti i problemit nuk i lë të qetë organet e sigurimit shtetëror dhe as prindërit. Nxënësit e turnit të dytë pas raportimeve për bomba, kanë ndërprerë mësimin. Shkollat e mesme "Orce Nikolov", "Nikola Karev", "Josip Broz-Tito", "Rade Jovçevski-Korçagin", ASUC "Boro Petrushevski" ishin vetëm disa nga shkollat që gjatë javës së kaluar ishin cak i kërcënimeve të rreme me bomba.
 
SANIJE DURAKU