Gazetari sportiv Mustafa Ademi, mysafir i UEFA dhe pjesë e programit të tyre për afrim me median

02.11.2022 17:22

Gazetarët sportiv nga shtetet e Ish Jugosllavisë Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia...

Gazetarët sportiv nga shtetet e Ish Jugosllavisë Maqedonia e Veriut, Kosova, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia, gjatë ditës së djeshme kanë patur mundësinë të vizitojnë shtëpinë e futbollit evropian UEFA-n dhe gjithashtu të ndjekin një program njëditor. Në mesin e tyre ka qenë edhe gazetari sportiv i TVM2, Mustafa Ademi, i cili vizitën në UEFA e përshkruan si diçka shumë unike dhe e fut ndër përjetimet më të mëdha në karierën si tij si gazetar sportiv. 

"Ishte vërtet një ditë interesante, e veçantë dhe produktive në UEFA. Mund t'a cilësoj si një prej përjetimeve më të mëdha në jetën time. Administrata e Aleksandar Çeferinit ftoi gazetarë nga ish-Jugosllavia (në të ashtuquajturin Program Outreach) si mysafirë, duke dashur t'i njoftojë ata me fusha të ndryshme të aktiviteteve të tyre përmes një sërë prezantimesh; garat, financat, organizimi i arbitrave, futbolli i femrave, programet e solidaritetit. Siç tha Çeferin në fjalën e tij para nesh, qëllimi i këtij tubimi ishte afrimi i UEFA-së me median, pra me automatizëm edhe me audiencën, në mënyrë që të paktën të përpiqet të thyejë stereotipin se "janë disa të moshuar që punojnë dhe ulen në Uefa, hanë dhe pinë, nuk bëjnë asgjë dhe marrin shuma të majme parash. Duhet qenë i realt dhe thënë se Çeferin, me ndihmën e Zvonimin Bobanit, Pedro Pintos dhe zyrtarëve të tjerë, ia doli këtë. Ndër prezantuesit e UEFA Outreach Program, më së shumti tërhoqi vëmendjen performanca pasionante dhe disi teatrale e kreut të arbitrave europianë, italianit Roberto Rosetti.  Arbitri i famshëm theksoi vlerën e teknologjisë VAR përmes shembujve të situatave të diskutueshme në ndeshjet e nivelit të lartë, të shfaqura në video-mur. Këtu në këtë projekt ishte veçanërisht i angazhuar edhe Zvonimir Boban, si një futbollist me sens të veçantë të lojës, i cili insiston të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes në dhomën VAR, me qëllim që loja të zgjasë sa më shumë. Nga ana e Giorgio Marchetitz i prezantua projekti i Ligës së Kampionëve dhe garave tjera europiane në ciklin 2024-2027, ku Championsi do të ketë tash me 36 ekipe dhe një format ndryshe nga ai që jemi mësuar t'a shohim me vite të tëra. Ndërkohë, pjesë e panelit njëditor ishte edhe Zoran Lakovic, drejtori i asociacioneve kombëtare në UEFA, i cili foli për gjitha projektet e realizuara nga UEFA në vendin tonë dhe vendet e rajonit.", sqaron Mustafa Ademi përvojen e tij në Nyon.
 
Nga UEFA, kanë lajmëruar se keto takime do të shëndrohen në tradicionale gjatë viteve të ardhshme, me të vetmin qëllim, afrimin dhe njoftimin sa më të mirë të gazetarëve sportiv nga rajoni me aktivitet e shtëpisë së futbollit evropian, ndërsa Ademi falenderon Federatën e Futbollit të Maqedonisë për besimin dhe mundësinë e dhënë për të prezantuar vendin tonë në këtë event.