Maqedoni
Pushtimi rus në Ukrainë, ekonomia europiane në stres
02.11.2022 17:33
Përveç pandemisë me Kovid-19 edhe lufta në Ukrainë ishte një sfidë shtesë e radhës që prishi rendin ekonomik...

Përveç pandemisë me Kovid-19 edhe lufta në Ukrainë ishte një sfidë shtesë e radhës që prishi rendin ekonomik, jo vetëm në Europë dhe Ballkan, por në të gjithë botën. Kriza energjetike aktualisht është rreziku më i madh për bizneset, u tha në forumin "Ekonomia evropiane në stres pas pushtimit rus në Ukrainë" organizuar nga forumi maqedono-gjerman.
“Rusia përdor jo vetëm armë ushtarake, por edhe armë ekonomike - armë energjetike. Asnjë vend i vetëm nuk mund të luftojë varësinë nga energjia, të gjitha vendet duhet ta bëjnë këtë së bashku.”,- tha drejtori i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Daniell Braun.
“Nuk është rastësi që qeveria federale tani për tani po i kushton shumë vëmendje Ballkanit në një kontekst gjeo-politik. Ne shohim një të ardhme të përbashkët për paqen, për lirinë, për prosperitetin ekonomik për të gjithë ne, vetëm në një Bashkimi Evropian të përbashkët, që përfshin edhe Ballkanin Perëndimor.”,- u shpreh ambasadorja gjermane, Anke Hollshtajn.
“Me luftën në Ukrainë, kriza arriti kulmin e saj - përsëri ndërprerje në zinxhirët e furnizimit dhe rritje të çmimeve të energjisë. Prandaj, Evropa Juglindore, veçanërisht Ballkani Perëndimor, janë fokusi i zinxhirëve të rinj të furnizimit për diversifikimin e rrezikut.”,- theksoi drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane, Patrik Martens.
Sipas tij, shumica e kompanive gjermane janë të vendosura në zona të lira ekonomike dhe sipas sondazheve, 75 për qind e tyre do të investonin sërish këtu.
SEDAT SELIMI
