Maqedoni

Kërcënimet me bombë në shkolla, policia merr në pyetje një të dyshuar

03.11.2022 15:25

Pas marrjes në pyetje për disa orë...

Pas marrjes në pyetje për disa orë, policia e ka lënë të lire të dyshuarin për kërcënimet me bombë në disa shkolla të mesme të Shkupit. Ekipet kontrolluan shtëpinë e tij, sekuestruan prova të mundshme që pas ekspertizës do t'i përgjigjen pyetjes nëse 23-vjeçari kishte lidhje me kallëzimet e rreme për bombë.

“Me personin është bërë një intervistë zyrtare. Në koordinim me Prokurorinë Publike është bërë kontrolli në banesë, janë sekuestruar gjësende për ekspertizë dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga platforma Conservative.mk, kanë thënë se i arrestuari është anëtar dhe aktivist i tyre dhe se i njejti është arrestuar padrejtësisht.

“Ne me përgjegjësi pretendojmë dhe mohojmë që anëtari ynë Nikolla të ketë lidhje me këto ngjarje. Nikolla është mbi të gjitha një qytetar i përgjegjshëm shoqëror, një aktivist i përfshirë në mënyrë aktive në luftën kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme, i cili me krenari ka përfaqësuar Maqedoninë në shumë ngjarje”, thuhet në reagimin e platformës Conservative.mk.

Nëntë shkolla të mesme në Shkup ishin disa herë cak i raportimeve të rreme për bomba të vendosura që tërhoqën në terren ekipet antiterroriste të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të inspektuar tërësisht objektet e shkollave.

Personi që ka dërguar mesazhe me e-mail ka kërcënuar se është vendosur lëndë shpërthyese, por nga kontrollet e objekteve rezultoi se këto ishin raportime të rreme.(Gyltene Sinani, TVM2)