Maqedoni

Kuvend, masat anti-krizë përplasën pushtetin dhe opozitën

03.11.2022 16:01

Masat anti-krizë sërish kanë përplasur pushtetin dhe opozitën...

VMRO-DPMNE përsëri ka dorëzuar propozim ligj për uljen e akcizës të karburanteve. Me këtë ligj propozojmë uljen e akcizës me 50% për benzinën dhe naftën si dhe uljen 100% të akcizës për gazin e lëngshëm thonë nga VMRO-DPMNE.
 
“Kjo qeverisje i ka sjellë qytetarët dhe ekonominë në kushte jashtëzakonisht të vështira për jetë dhe punë, prandaj është e nevojshme që qeveria ta pranojë këtë propozim ligj me të cilin qytetarët do të paguajnë 11 gjegjësisht 13 denarë më lirë për një litër benzinë dhe 8 gjegjësisht 9 e gjysmë denarë më lirë për një litër naftë. Kjo është një masë reale për të ndihmuar qytetarët dhe kompanitë. Është e vërtetë që qeveria nuk mund të ndikojë në çmimet e bursës botërore, është e vërtetë që Maqedonia nuk ka vendburime nafte, por është vërtetë edhe qeveria, nëse dëshiron, mund të ndikojë në taksat që paguajnë qytetarët dhe ekonomia.”,- tha Tonio Janevski nga VMRO-DPMNE.
 
Por nga LSDM kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në se po frenon ndihmat e planifikuara për qytetarët duke penguar zgjidhjet ligjore me shtyrjen e seancave të Komisionit për Financa dhe Buxhet nga deputeti, Bojan Stojanovski, i kësaj partie. 
 
“Në kohë krize në vend që të ndihmojnë ata pengojnë ndihmën, VMRO-DPMNE bllokon zgjidhjet ligjore që parashikojnë masa për t'i ndihmuar qytetarët. Përmes kryetarit të Komisionit për financim dhe buxhet, Bojan Stojanoski, VMRO-DPMNE-ja me këmbëngulje nuk cakton seancë për të diskutuar për zgjidhjet ligjore që mundësojnë pagesën e ndihmës financiare për disa kategori të rrezikuara si pensionistët me pension të ulët, përfituesit e ndihmës minimale dhe prindër me kujdes të vetëm. Të rikujtojmë, nevoja për miratimin e këtij ligji është përcaktuar më 17 tetor të këtij viti, ndërsa seanca e Komisionit nuk është caktuar edhe për javën e tretë.”,- u shpreh Daniela Koleva nga LSDM.
 
Ndërkohë Stojanovski  në përgjigjen e tij theksoi se pikërisht LSDM është ajo që frenon masat anti-krizë pasi që sipas tij masat e promovuara nga qeveria nuk kanë arritur në kuvend ndërsa për ato që kanë arritur nuk kanë kuorum për t’i votuar krahas deklarimit tonë se do të jemi në gjendje të sigurojmë kuorum për sa i përket masave anti-krizë.  
 
NAIM RAMADANI