Ukrainë, "Zaporozhie" shkëputet nga rrjeti elektrik
Centrali bërthamor ukrainas "Zaporozhie"....

Centrali bërthamor ukrainas "Zaporozhie" është shkëputur nga rrjeti elektrik pasi bombardimet ruse dëmtuan linjat e tensionit të lartë. Në përdorim kanë mbetur vetëm gjeneratorët me naftë, njoftoi kompania shtetërore bërthamore “Energoatom”.
Në një njoftim në rrjetin Telegram, “Energoatom” bëri të ditur se gjeneratorët kanë karburant të mjaftueshëm vetëm për 15 ditë. "Numërimi mbrapsht ka filluar", shkruanin përfaqësuesit e Energoatom-it, duke ngritur shqetësimin për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.
Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar shpesh njëra-tjetrën për bombardimet pranë impiantit. Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së ka paralajmëruar se sulmet me artileri mund ta dëmtojnë centralin duke rrezikuar ndotje bërthamore.
Centrali ndodhet brenda një pjese të rajonit të Zaporizhias të pushtuar nga forcat ruse, që në ditët e para të sulmit në Ukrainë që nisi më 24 shkurt. Megjithëse presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret për transferimin e impiantit në pronësi të Rusisë, ai vazhdon të drejtohet nga personeli ukrainas.
“Energoatom” ka kërkuar vazhdimisht tërheqjen e forcave ruse nga impianti dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar rreth tij.
“Energoatom” akuzoi gjithashtu Rusinë për përpjekje për të lidhur centralin bërthamor me sistemin energjetik rus.
Operatori tha se pala ruse do të përpiqet të riparojë linjat elektrike në mënyrë që të lidhë centralin me rrjetin rus e për rrjedhojë, të furnizojë me energji rajonin e Krimesë të pushtuar nga Moska, si dhe Donbasin, i cili kontrollohet aktualisht nga Rusia.
Po ashtu Rusia ka pezulluar pjesëmarrjen në marrëveshjen e grurit, duke përmendur një sulm të supozuar me dron në flotën e saj të Detit të Zi në Krime. Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti Zelensky falënderoi Spanjën për mbështetjen e përpjekjes së Ukrainës për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.
“Unë e di që ju keni bërë shumë përpjekje për statusin e Ukrainës si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por doja t'ju kërkoja të mos relaksoheni sepse ne nuk jemi ende anëtare të Bashkimit Evropian dhe keni shumë net pa gjumë para jush.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
Ukraina aplikoi për anëtarësim më pak se një javë pasi filloi pushtimi i Moskës më 24 shkurt. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
