Rama kritika Britanisë për migracionin

03.11.2022 18:23

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për BBC....

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për BBC, akuzon Mbretërinë e Bashkuar se po sulmon shqiptarët për të justifikuar politikat e saj të dështuara të emigracionit dhe të ruajtjes së kufijve.

“Kjo nuk është politikë, nuk është program, as vizion. S‘asgjë tjetër veçse diçka që po i hedh benzinë zjarri të ksenofobisë, dhe po shënjestron një komunitet që praktikisht i shkon totalisht kundër traditës së madhe britanike të integrimit të minoriteteve.”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama akuzoi politikanët dhe mediat britanike se po i japin jehonë çështjes së emigrantëve duke i fajësuar padrejtësisht shqiptarët

Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kockave të kurbanit dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin.”,- tha Rama.

Kreu i qeverisë ka komentuar edhe deklaratën e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman se për “pushtim” ishin të “pavend” dhe se ai e kishte “të pamundur që të mos reagonte”.

“Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Tani duket si çmendinë. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë."-  u shpreh Rama.

Javën e kaluar zyra e brendshme britanike deklaroi se shqiptarët ishin tashmë grupi më i madh i refugjatëve që kalojnë Kanalin me varka të vogla dhe vetëm këtë vit 12,000 shqiptarë mbërritën në Angli. 

Por më herët përmes një shënimi në Twiter kryeministri kujtoi se 70% e 140 000 shqiptarëve që janë shpërngulur në Britaninë e Madhe jetonin në Itali dhe Greqi, 1 200 prej tyre janë njerëz të biznesit. (Luljeta Ndoka, TVM2)