Ambasada e Japonisë donacion për spitalin e Strugës

03.11.2022 20:05

Ambasadori i Japonisë sot ishte në vizitë në Strugë....

Ambasadori i Japonisë sot ishte në vizitë në Strugë në kuadër të marrëveshjes që u nënshkrua muaj më parë për donacionin e një aparati në spitalin e Strugës.  Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori i Japonisë, Hnorari Sevada, dhe drejtori i spitalit të Strugës, Armend Arsllani. Ambasadori tha se është i lumtur për bashkëpunimin dhe donacionin e bërê.

"Është kënaqësi për mua të jem përsëri në Strugë, për projektin GGP për spitalin e Strugës, ku Japonia donoi një eho aparat për repartin e gjinekologjisë. Më vjen mirë që dy muajt e fundit me këtë donacion janë kryer mbi 400 kontrolle. Me këtë donacion reparti i gjinekologjisë ka dyfishuar kapacitetin e punës. Populli japonez është i lumtur që ndihmon popullin e Maqedonisë të ketë kushte më të mira shëndetësore.”,- tha ambasadori i Japonisë, Hironori Sevada.

Drejtori i spitalit falënderoi ambasadën e Japonisë dhe tha se ky aparat ka qenë i domosdoshëm për spitalin dhe qytetarët.

"Duke u përballur me vështirësitë në diagnostifikimin e llojeve të ndryshme të sëmundjeve, ndihma e një aparati dhe pajisje mjekësore është më se e nevojshme. Të gjithë qytetarët e Strugës por edhe rajonit, falë këtij projekti GGP, pra donacionit të një aparati te sofistikuar, sot kane qasje më cilësore në shërbimet e tyre shëndetësore",- u shpreh drejtori i spitalit, Armend Arsllani.

Donacioni ishte pjesë e programit për grande të projekteve bazike dhe siguri njerëzore nga ambasada e Japonisë. Ky është grandi i katërt i dhënë nga ambasada e Japonisë për komunën e Strugës. (Ilmije Zhaku, TVM2)