Maqedoni
BFI: Risocializim të atyre që kthehen nga konfliktet
26.01.2015 15:11
Ambasada franceze në Maqedoni mbështet projektin e BFI-së në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizimit që fshihet pas fesë Islame...

Ambasadorja franceze, Lorens Oer, takoi kreun e BFI-së, Sulejman Rexhepin, për t’u njoftuar mbi esencën e projektit i cili ka për qëllim rehabitimin dhe risocializimin e personave që kthehen nga konfliktet e lindjes së mesme.
Kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, njofton se projekti do të realizohet në katër etapa me të vetmin qëllim, që të reflektojë paqe në vend dhe më gjerë.
“Bashkësia Fetare Islame mendon të bën risocializimin e të gjithë atyre që do të mbeten të gjallë nga ato fronte të çmendura, të pakuptimta dhe të kthehen në vendin e vet. Të mundemi me të vërtetë, në bashkëpunim me subjektet evropiane, me shtet evropiane, që të ndihmohemi bashkërisht dhe ne jemi të gatshëm që atë projekt që e kemi realizuar, ta implementojmë në jetën praktike”- deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Rexhepi thotë se ideja për përpilimin e projektit ka qenë e BFI-së me paraqitjen e “Shtetit Islamik” (ISIS) në Irak dhe Siri. Aktualisht nuk dihet numri i saktë i personave nga Maqedonia që kanë shkuar për të luftuar në Lindjen e Mesme.
Flitet që 25% e personave që luftojnë atje janë persona që vijnë nga shtete tjera.
Kreu i BFI-së, Rexhepi, thotë se e gjithë ajo që ndodh atje nuk ka të bëjë fare me Islamin.
E të njëjtit mendim është edhe ambasadorja franceze, Oer. Ajo zbulon detaje të hulumtimeve që bën shteti francez në parandalimin e terrorizmit.
“Atë që dua të them është se Qeveria franceze, pas gjithë ngjarjeve që ndodhën në Paris, po mendon se çfarë masash të ndërmarrë për mbledhjen e informacioneve. Kjo më së shpeshti realizohet nëpërmjet shërbimeve të zbulimit, por gjithashtu është edhe vëzhgimi me më shumë vëmendje i rrjeteve sociale, si fejsubuku e kështu me radhë, pasi që është vërejtur se numri më i madh i grumbullimit të atyre njerëzve bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale”- tha ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.
Ambasadorja franceze, Lorens Oer, ka kërkuar nga kreu i BFI-së, Rexhepi, që të koordinohet me projektin në ambasadat e tjera franceze në Evropë. Ambasada e parë që ka mbështetur projektin është Ambasada italiane.
Nga BFI presin përkrahjen edhe të bashkësive të tjera fetare në vend, liderëve politik dhe kryeministrit Gruveski.
MERAL ISMAILI
