Takimi i liderëve, ASH konfirmon pjesëmarjen, VMRO vendos të shtunën, LSDM fton partitë në takim

04.11.2022 16:41

Aleanca për Shqiptarët konfirmon pjesëmarjen....

Aleanca për Shqiptarët konfirmon pjesëmarjen në takimin e liderëve të hënën. Ushtruesi i detyrës kryetar i partisë, Arben Taravari, shprehet se në takim fillimisht do të dëgjojnë idenë e thirjes së takimit, duke mos përjashtuar mundësinë që të shtrojnë edhe kërkesën për heqjen e 20%.-it.

Taravari konsideron se duhet ruajtur balancet me partitë e tjera që edhe kjo kërkesë të përmbushet. Aktualisht, sipas Taravarit me rëndësi është të nisin bisedimet për anëtarësim.

“Ne nuk e hapim për 20%-in special kushtetutën. Kushtetuta do të hapet se është kusht i domosdoshëm edhe futja në preambulë edhe të pakicës bullgare. Kështuqë ne për atë do të bisedojmë, por mund të bisedojmë edhe për tema të tjera, janë të hapura, çdo herë duhet të bisedohen gjëra që mund ti ndihmojnë bashkëpunimit të brendshëm të popujve që jetojnë këtu kështuqë nuk shkojmë as me pushka, as me pishtolla, shkojmë thjesht të ulemi të bisedojmë të shohim disponimi si është.” – tha U.D Kryetar i ASH-së, Arben Taravari.

Për pjesëmarjen e kryetarit të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, do të vendos kryesia qendrore e partisë.

Edhe nga VMRO – DPMNE të shtunën do të vendosin për ftesën e Kovaçevskit.

“Nesër kemi një ngjarje, shpresoj se gjatë rrugës me telefon do të mund të konsultohem me partnerët e koalicionit, me grupin parlamentar, me komitetin ekzekutiv dhe gatë ditës së nesërme do të bëjmë publik qëndrimin se a do të shkojmë, dhe nëse nuk shkojmë do ta themi arsyen.” – deklaroi Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Nga LSDM ftojnë të gjitha partitë që të mbidhen dhe diskutojnë të ardhmen europiane të vendit.

“Presim që të gjitha partitë të paraqiten. Presim që të gjitha partitë të demostrojnë atë që edhe në mënyrë deklarative e pohojnë, se jemi bashkë në rrugën drejt BE-së dhe bashkërisht të vërtetohen dhe të punojmë në prioritetet për shtetin tonë dhe qytetarët tanë.” – u shpreh Sanella Shkrijel, deputete e LSDM-së.

Mësohet se partitë shqiptare në pushtet BDI dhe Alternativa kanë konfirmuar pjesëmarjen në takimin e së hënës në kuvend. (Meral Ismaili, TVM2)